Haradinaj: Beogradi më ftoi të bëhem pjesë e skenarit për ndarjen e Kosovës

E publikuar: 12/11/2018 21:24
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri kosovar, Ramush Haradinaj, ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, synon një pjesë të veriut të Kosovës, në shkëmbim të njohjes së pavarësisë së vendit.
Ai ka thënë në T7, se serbët po provojnë të marrin pjesët e veriut të Kosovës, me pasuri natyrore.

Haradinaj ka thënë se Serbia e do ndarjen e Kosovës, dhe se skenari për ndarje është i presidentit Vuçiq, teksa ka folur për idenë e presidentit kosovar, Hashim Thaçi, për “korrigjim kufijsh” me Serbinë.

Kryeministri ka thënë se e di shumë mirë se prekja e kufijve të vendit është skenar i Beogradit.

Ai ka thënë se serbët e kanë ftuar edhe atë që të bëhet pjesë e këtij skenari për ndarjen e Kosovës.

Haradinaj njihet si kundërshtar i madh i idesë së korrigjimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, për të cilën presidenti Thaçi thotë se nuk nënkupton në asnjë formë ndarje të Kosovës.