Haradinaj bën thirrje për unitet për dialogun me Serbinë

E publikuar: 27/12/2018 12:19
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se Kosova ka nevojë për unitet dhe unifikim të qëndrimeve të krejt spektrit politik në vend, me qëllim të arritjes së një marrëveshjeje, që është në përputhje të plotë me vullnetin politik të popullit të Kosovës, të shprehur me 17 Shkurt 2008 nga Parlamenti i Kosovës.

Haradinaj pas takimit të ekipit negociator dhe përfaqësuesve të institucioneve me ambasadorët e Quintit, ka shkruar në Facebook se si kryeministër i vendit është angazhuar që nga fillimi që të ketë dialog përmbajtjesorë, transparent dhe në interes të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës.

“Kam angazhuar ekipin më të mirë dhe ekspertë të jashtëm që Kosovës t’i prezantojnë ekipin negociator dhe dokumentin bazë, librin me shumë kapituj për një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të obligueshme mes Kosovës dhe Serbisë. Sot jam i lumtur që kemi ekip negociator dhe që janë aktivizuar edhe mekanizma të tjerë shtetërorë, duke e parë se sa me interes është ky proces, veçmas transparenca dhe përmbajtja e tij. Kosova ka nevojë për unitet dhe unifikim të qëndrimeve të krejt spektrit politik në vend, me qëllim të arritjes së një marrëveshjeje, që është në përputhje të plotë me vullnetin politik të popullit të Kosovës, të shprehur me 17 Shkurt 2008 nga Parlamenti i Republikës së Kosovës”, ka shkruar ai.