Haziri apelon të gjitha ata që kanë pasur kontakte me të infektuarit e Topanicës, t’i lajmërojnë organet dhe të vetizolohen

E publikuar: 02/04/2020 13:36
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nën udhëheqjen e kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, është mbajtur sot takimi i Komitetit për mbrojtje dhe shpëtim dhe Qendrës Operative Emergjente, në të cilin u theksuar se nuk ka asnjë rast të dyshuar me Covid-19, derisa pesë familje janë në vetizolim.

“Apelojmë për vetëpërmbajtje, të qëndroni në shtëpi, të mos dilni asnjëherë pa arsye dhe pa nevojë të fortë sepse po luftojmë me të panjohurën”, ka thënë Haziri, teksa ka kërkuar nga qytetarët që kanë pasur kontakte me të infektuarit në Topanicë, t’i lajmërojnë organet.

“Shpërthimi i vatrës së re në Topanicë të Kamenicës, e cila është në distancë shumë të afërt me komunën tonë, tregon qartë se sa të pasigurtë mund të jemi. I lus të gjitha ata që kanë pasur kontakte me të infektuarit e familjes Morina të Kamenicës, t’i lajmërojnë organet dhe të vetizolohen, për ta parandaluar përhapjen”, ka thënë Haziri.

Ai ka falënderuar institucionet shëndetësore, policinë dhe emergjencat civile për punën e madhe që e kanë bërë në këto 24 orët e fundit, derisa ka konfirmuar se janë në bashkëpinim të mirë me 11 kryetarët komunave të sektorit të lindjes, për ta parandaluar përhapjen e Covid-19.

Haziri ka njoftuar se po vazhojnë t’i mbështesin familjet me gjendje të rëndë sociale, përmes pakove ushqimore e higjienike.

Mesazhe të kujdesit kundër coronavirusit kanë ka dhënë edhe drejtoresha e Qendrës Rajonale të Shëndetit Publik, dr. Ajhane Sefiu, drejtori klinik i Spitalit Regjional, dr. Ukshin Ismaili dhe drejtori i QKMF’së në Gjilan, dr. Fejzulla Berisha./Infosot/