Hapja e negociatave do të ishte si një notë kaluese me hatër

E publikuar: 12/02/2018 18:32
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nga Mustafa Nano

Mazhoranca ka krijuar një lloj pritmërie lidhur me procesin e hapjes së negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Vetë Rama në më shumë se një rast ka përcjellë mesazhin se “dita e madhe është duke ardhur”. Atij i ka mbajtur ison ministri Bushati. Tani, ata dinë më shumë sesa ne. Janë ex officio shqiptarët më të informuar lidhur me këtë gjë. Përveç kësaj, informacionin e kanë më të besueshëm, ngaqë e marrin drejt e nga burimet, e jo nga gazetat e televizionet, siç e marrim ne të tjerët. Mirëpo, gjithçka që mund të dinë, ka të bëjë me vendimin e Komisionit Europian, që do të bëhet i ditur në muajin prill. Ky i fundit ka në dorë të japë rekomandimin mbi hapjen e negociatave mes Shqipërisë e BE-së, dhe me sa duket, Jean-Claude Juncker e Co. e kanë bërë mendjen top që këtë rekomandim ta japin. Se sikur të ndodhte që as Komisioni të mos e jepte rekomandimin, atëherë kjo do të thoshte që Rama e Bushati jetojnë mes iluzioneve e vetëgënjimeve, gjë që do të ishte e rëndë. Mirëpo, nuk ka gjasa që të ndodhë kjo gjë. Komisioni ka për ta dhënë rekomandimin. Dhe kjo nuk ka lidhje me ndonjë sukses shqiptar, pavarësisht se kështu mund të shitet qoftë nga përfaqësues të Brukselit, qoftë në Tiranë. Duhet thënë se më shumë është Komisioni që është i interesuar ta hedhë këtë hap. Në rastin që rekomandimi nuk do të jepej, do të ishin të shumtë zërat që do të flisnin për një dështim të vetë Komisionit, i cili ka vite që merret me Shqipërinë, e vende të tjera të Ballkanit. Në të kundërt, nëse rekomandimi jepet, ky do të ishte edhe një tregues se Komisioni nuk ka xhiruar në boshllëk gjithë këto kohë. Eurokratët “nxjerrin bukën e gojës” me këto gjëra. Federica Mogherini, që në një farë mënyre është ministrja e jashtme e BE-së, na ka dhënë gjithnjë përshtypjen se ajo është personi më i interesuar për hapjen e negociatave, më i interesuar se Rama e Bushati. Ky fakt e ka bërë edhe punën e autoriteteve tona më të lehtë. Nuk u është dashur të bëjnë ndonjë stërmundim. Thënë me fjalë të tjera, u është dashur të trokasin në një derë të hapur. Për këtë arsye, rekomandimi nuk do të ishte një arsye për të festuar. Duhet thënë kjo, pasi dikush mund të jetë duke përgatitur një festë nëpër rrugët e Tiranës, gjë që do të ishte – lëri të tjerat! – një festë e parakohshme.