Handanovic rinovon me Interin, Kondogbia, Salah dhe Kaya më pranë

E publikuar: 16/06/2015 17:33
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Tifozët e Interit e kanë një arsye për të festuar, pasi klubi zikaltër ka arritur akordin për rinovimin e kontratës me portierin slloven Samir Handanovic. 30-vjecari ka firmosur një marrëveshje të re që do ta lidhë me Interin deri në 30 Qershor të vitit 2019, nga e cila do të përfitojë rreth 2,7 milionë Euro në sezon ndërkohë që me bonuset e përfshira kjo shifër mund të arrijë deri në 3 milionë Euro. Zgjidhet kështu problemi i Interit për portën me Handanovic që do të vazhdojë të jetë pjesë e zikaltërve edhe gjatë viteve në vazhdim. Në lidhje me merkaton në hyrje drejtuesit e klubit zikaltër po punojnë fort për ti plotësuar dëshirat trajnerit të tyre Roberto Mancini.

Pas Jeison Murillos i cili është transferimi i parë në merkato Interi ka gati edhe goditjen e dytë në mbrojtje. Zikaltërit janë pranë arritjes së akordit me Galatasaray-in për blerjen e mbrojtësit Semih Kaya. Oferta e italianëve për 24-vjecarin kap shifrën e 7 milionë Eurove ndërkohë që Galatasaray kërkon 8 milionë Euro për ta lënë të lirë qëndërmbrojtësin, një diferencë e vogël kjo dhe në orët e ardhshme pritet të mbyllet gjithcka përsa i përket këtij transferimi. Një tjetër emër për mbrojtjen është edhe ai i brazilianit Joao Miranda për të cilin ziktaltërit mund të ofrojnë deri në 15 milionë Euro. 30-vjecari është i tunduar nga mundësia për të qenë pjesë e klubit nga Milano por Interi nuk do ta ketë të thjeshtë të bindë Atleticon.

Për mesfushën pëlqehet Geoffrey Kondogbia për të cilin zikaltërit e kanë rritur ofertën deri në 27 milionë Euro por që ky transferim të realizohet me sukses duhet ende kohë, pasi për 22-vjecarin e Moncaos interesohet edhe Milani. Për sulmin dy objektivat kryesorë janë egjiptiani Mohamed Salah dhe malazezi Stevan Jovetic. I pari nuk dëshiron të qëndrojë më si i huazuar te Fiorentina dhe Interi ka nisur bisedimet me Chelsea-in që zotëron kartonin e Salah, ndërsa Jovetic është objektivi i madh për repartin e avancuar. 25-vjecari nuk dëshiron të qëndrojë më te Manchester City dhe Piero Ausilio do të bëjë gjithcka për ta vendosur malazezin nën urdhrat e Roberto Mancinit.