Hamza: Programi për Reforma në Ekonomi është vendosur në ciklin tonë të planifikimit të politikave dhe të financave publike

E publikuar: 20/11/2018 16:00
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Financave Bedri Hamza ka pritur sot në takim një delegacion të lartë të Komisionit Evropian, të kryesuar nga zëvendësshefi i Njësisë së DG NEAR në Komisionin Evropian Felipe de la Mota, me të cilët diskutoi për Programin për Reforma në Ekonomi (ERP).

Gjatë takimit ministri Bedri Hamza shprehi kënaqësinë se Programi për Reforma në Ekonomi në aspektin teknik ka arritur në masë të madhe qëllimin e vet, duke u integruar me sukses në ciklin tonë të planifikimit të politikave dhe të financave publike dhe gjithashtu duke vendosur një standard më të lartë për kualitetin dhe kontekstin strategjik të politikëbërjes në qeverisjen ekonomike.

Ministri Hamza bëri të ditur se Zyra për Planifikim Strategjik në Qeverinë e Kosovës e ka përgatitur draftin e parë të prioriteteve të reformave strukturore që aktualisht përfshijnë 19 masa të reformës.

“Ne e mirëpresim inputin e Komisionit dhe përkushtohemi që t’i inkorporojmë këshillat tuaja në përmirësimin e draftit të ardhshëm” shtoi Ministri Hamza.

Sipas Ministrit Hamza në Kosovë gradualisht po krijohen kapacitete përmes së cilave me lehtësi do t’i përshtatemi semestrit Evropian në të ardhmen.

“Për mua si Ministër i Financave dhe Koordinator Qeveritar i këtij programi, është e një rëndësie të veçantë fakti që këtë vit kemi arritur ta integrojmë edhe më tutje ERP-in dhe konkluzionet e dialogut të përbashkët ekonomik në procesin e përgatitjes së buxhetit” shtoi Ministri Hamza.

Për më shumë, përgatitjen e ERP-it kemi arritur ta bëjmë këtë vit me ndihmesë shumë të kufizuar të asistencës teknike nga jashtë, çka e dëshmon pjekurinë teknike të vet institucioneve tona për zhvillimin e këtij procesi.

Ministri Hamza gjithashtu njoftoi delegacionin e Komisionit Evropian së Qeveria e Kosovës në fund të muajit tetor të këtij viti ka aprovuar Buxhetin e vitit 2019, i cili sipas tij bazohet në Kornizën e azhurnuar makro-fiskale për periudhën afatmesme 2019-2021.

“Plani ynë është që të sinkronizojmë përgatitjen e dy dokumenteve dhe ERP-in ta shfrytëzojmë edhe si urë lidhëse në mes të KASH-it dhe buxhetit. Edhe këtë vit, përgatitjen e kemi bërë jo vetëm në konsultim, por edhe në bashkëpunim të ngushtë me sektorin jo-qeveritar dhe atë privat”, bëri të ditur Ministri Hamza./Infosot