Hamza, kryetar i PDK-së në Mitrovicë

E publikuar: 28/04/2019 17:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Financave, Bedri Hamza, është zgjedhur kryetar i PDK-së në degën e Mitrovicës.

Sipas një njoftimi nga PDK-ja, 210 delegatët e kuvendit zgjedhor në Mitrovicë kanë zgjedhur edhe Këshillin Drejtues prej 71 anëtarëve dhe 21 delegatë për Konventën Qendrore.

Në Kuvend zgjedhor foli shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi që tha se procesi po e rikonfirmon fuqinë e PDK-së.

“Dekada e Re është platformë e cila i siguron qytetarëve të vendit me besim, zhvillim dhe integrim, hapësirë të gjithë qytetarëve, në veçanti rinisë dhe grave, duke e bërë këtë proces të jashtëzakonshëm, ashtu siç i ka hije PDK-së dhe vizionit të përqafuar nga qytetarët e vendit”, ka thënë Krasniqi duke shtuar se “zgjedhjet e brendshme riafirmuan potencialin politik e krijues të PDK-së, si parti e së tashmes dhe të ardhmes”.

Ndërsa në fjalën e saj, ministrja Dhurata Hoxha vlerësoi se “Mitrovica merr vëmendjen më të madhe se zgjedhjet në degët tjera në vend, duke qenë degë e liderit tonë, Kadri Veseli dhe udhëheqësve të dëshmuar në nivel nacional”. “Këto zgjedhje, janë shtytje e re për organizim edhe më të mirë, gjithëpërfshirje dhe vlera me besim, zhvillim dhe integrim”, ka thënë ajo.