Hamiltoni thellon mosmarrëveshjet me Mercedesin

E publikuar: 19/12/2016 08:33
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Titulli i pilotëve dhe i konstruktorëve mbeti te Mercedes, por skuadra dominuese në Formula 1 në vitet e fundit nuk i ka larguar ende problemet.Lamtumira surprizë e kampionit të botës, Nico Rosberg, e ka mbajtur të ftohtë marrëdhënien e skuadrës gjermane me pilotin tjetër Lewis Hamilton, me këtë të fundit që i akuzoi sërish drejtuesit për mungesë respekti.

Britaniku që rivalizoi për titull deri në kthesën e fundit të sezonit, ka thënë se në garën finale nuk u trajtua si duhet. Hamilton u akuzua për anarki në Abu Dhabi pasi injoroi urdhrat nga bokset për të ecur më shpejt, në një manovër të diskutueshme që krijoi trafik në pistë, transmeton Top Channel.“Abu Dhabi ishte një prej momenteve më të sikletshme të sezonit në Formula 1 dhe duke parë se çfarë u tha pas garës që vendosi titullin, u ndjeva i parespektuar nga individë brenda ekipit. Asnjëherë nuk e pret diçka të tillë nga ata që drejtojnë kaq shumë njerëz dhe situata ende nuk është zgjidhur”, ka deklaruar Hamilton.

Ndërkohë, një tjetër britanik legjendë e Formula 1, Sir Jackie Stewart, i cili ka fituar tre tituj i kujtoi Hamiltonit se duhet t’i bindet Mercedesit, pasi e paguan 30 milionë funte në vit, për të bërë pikërisht punën e pilotit.