Hamilton shpallet kampion i Formula 1 për të pestën herë në karrierë

E publikuar: 29/10/2018 02:52
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ashtu siç pritej, Lewis Hamilton është shpallur kampion bote në Formula 1 për vitin 2018.

Piloti britanik i Mercedesit iu gëzua suksesit në garën për Çmimin e Madh të Meksikës, ku i mjaftonin vetëm pesë pikë për t’u shpallur matematikisht kampion. Dhe pikërisht këtë e bëri.

Festa e Lewis Hamilton (Foto: Mark Thompson/Getty Images/Guliver)

Garën e fitoi piloti i Red Bullit, Max Verstappen, mirëpo vendi i katërt (12 pikë) i mjaftoi Hamiltonit për ta fituar titullin.

Britaniku e dinte se çfarë duhet të bëjë dhe me mençuri ia doli t’i siguronte pikët e mjaftueshme.

Rivali i tij për titull, piloti i Ferrarit, Sebastian Vettel, e zuri vendin e dytë në këtë garë (18 pikë), por nuk mjaftoi për ta shtyrë festën e 33-vjeçarit.

Kampioni i Formula 1, Lewis Hamilton (Foto: Mark Thompson/Getty Images/Guliver)

Me titullin e pestë në karrierë, Hamilton barazohet me legjendën Juan Manuel Fangio, ndërsa mbetet dy tituj prapa ikonës Michael Schumacher.

Titullin e parë në karrierën e tij, piloti britanik e fitoi në vitin 2008 me McLarenin duke u bërë piloti më i ri që shpallej kampion i Formula 1.

Titujt tjerë (në vitet 2014, 2015, 2017 dhe tash 2018) i ka fituar si pilot i Mercedesit. /Telegrafi/