Hamilton “pole” në provat zyrtare në Texas

E publikuar: 22/10/2016 22:26
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Lewis Hamilton beson ende te titulli kampion në këtë sezon të Formula 1. Falë një xhiroje të jashtëzakonshme, piloti anglez i Mercedesit regjistroi pole-position e radhës në Cmimin e Madh të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Mbi cirkuitin e Austin, Hamilton mundi me rreth 2 të dhjetat e sekondës shokun e skuadrës, Nico Rosberg, i cili në garën e kësaj të Diele do të niset nga vendi i dytë. Si zakonisht pas dy makinave Mercedes u pozicionuan dy pilotët e Red Bullit, me Daniel Ricciardon që u rendit i treti dhe Max Verstappen menjëherë pas tij. Gjithsesi të shkëputur me më shumë se gjysmë sekondi nga Hamilton.

Nga radha e tretë në Cmimin e Madh të Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të nisen dy makinat Ferrrari. Raikkonen regjistroi kohën e 5-t më të shpejtë, ndërsa Vettel me më shumë se 1,3 sekonda më i ngadaltë se kampioni në fuqi i Botës u pozicionua i 6-shti. 10-shja e parë në provat zyrtare të garës së Austin u kompletua nga Nico Hulkenberg, Valteri Bottas, Felipe Massa dhe Carlos Sainz. Vetëm i 12-ti Fernando Alonso ndërsa akoma edhe më keq shkuan gjërat për McLarenin tjetër të Jenson Button që do të niset nga vendi i 19-të. Edhe në Amerikë do të jetë një betejë mes Hamilton dhe Rosberg për fitoren finale.