Hamilton më i shpejti në Sepang, pas tij Raikkonen

E publikuar: 27/03/2015 12:39
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Lajmi i mirë i këtyre provave për të gjithë të apasionuarit e Formula 1 ishte ngushtimi i diferencave mes Mercedes dhe Ferrarit.

Formula 1 ka vetëm 1 pilot më lart se gjithë të tjerët dhe ai është Lewis Hamilton. Pasi dominoi në garën e parë të sezonit të ri që u zhvillua në Australi piloti britanik e nisi në mënyrën më të mirë të mundshme edhe fundjavën që përkon me Cmimin e Madh të Malajzisë. Edhe pse qëndroi në bokse mëngjesin e kësaj të Premteje, Hamilton ishte më i shpejti në sesion e dytë të provave të lira duke u dërguar një mesazh të qartë të gjithë rivalëve se është pikërisht ai që komandon edhe në këtë sezon. Me kohën 1 minutë 39 sekonda e 730 të mijtat 30-vjecari anglez e pozicionoi Mercedesin e tij në vendin e parë. Një paraqitje shumë të mirë  në Sepang dhuroi edhe Kimi Raikkonen. Finlandezi i Ferrarit e pilotoi njëvendshen e tij vetëm 373 të mijtat e sekondit më ngadalë se Hamilton. Raikkonen la pas vetëm për pak gjermanin e Mercedesit Nico Rosberg, ndërsa disi më pas i 7-ti në sesionin e dytë të këtyre  provave të lira u pozicionua ferraristi tjetër Sebastian Vettel. Zhgënjeu totalisht Fernando Alonso në debutimin e tij me McLarenin. Spanjolli konfirmoi problemet e shumta që po has skuadra angleze në këtë fillim sezoni teksa e renditi makinën e tij vetëm në vendin e 16-të.

Gjithsesi lajmi i mirë i këtyre provave për të gjithë të apasionuarit e Formula 1 ishte ngushtimi i diferencave mes Mercedes dhe Ferrarit. Raikkonen tregoi se kokëkuqja i ka mundësitë të hyjë mes dy njëvendesheve të skuadrës gjermane, dhe me vazhdimin e sezonit  diferencat që ekzistojnë aktualisht  mes Mercedesit dhe Ferrarit mund të zerohen për një Botëror akoma edhe më tepër spektakolar. Një provë shumë pozitive dhuroi edhe Daniel Kvyat në Malajzi. I riu rus e pozicionoi Red Bullin e tij në vendin e 4-t duke lënë pas përvec Sebastian Vettel e Fernando Alonsos edhe Valtteri Bottas e Felipe Massën me dy pilotët e Williamsit që ndanë mes tyre vendin e 5-të dhe të 6-të. Nuk shkuan mirë gjërat as për Daniel Ricciardon që u pozicionua vetëm i 10-ti, ndërsa fansat e Mclarenit mbetën edhe njëherë tjetër të zhgënjyer teksa panë dy pilotët e tyre Alonso dhe Button të klasifikoheshin respektivisht në vendet 16 dhe 17-të. Por ajo që i tremb akoma edhe më tepër tifozët e skuadrës me qëndër në Woking  është diferenca që ekziston mes dyshes Alonso-Button dhe kampionit të Botës Lewis Hamilton. Plot 2,7 sekonda më e ngadaltë se e britanikut ishte koha e vendosur nga Alonso, e dhënë kjo që konfirmon vështirisitë e mëdha që po kalon McLaren. Bashkëpunimi me Hondan nuk po jep asnjë fryt dhe për skuadrën angleze parashikohet një sezon shumë i komplikuar./supersport.al/