Haliti tregon se kush është fajtori për ngecjen e punëve në Kuvendit

E publikuar: 07/01/2019 17:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gjatë vitit që lamë pas Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të përfundojë shumë seanca, disa prej të cilave madje patën nisur në muajin shtator, por që në mungesë kuorumi vazhdimisht ndërpriteshin. Kështu gjatë 2018-s janë miratuar vetëm 75 ligje, nga 177 sa ishin gjithsej në agjendë, shkruan gazeta “Zëri”.

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës Xhavit Haliti fajtor kryesor për mospërmbushjen e agjendës së Kuvendit për vitin 2018 e sheh opozitën, e cila sipas tij ka bllokuar në vazhdimësi votimet.

“Në vitin 2018 janë votuar më shumë ligje se në legjislaturën e kaluar, mirëpo aq sa ka përgjegjësi pozita për votimin e ligjeve, aq ka opozita. Opozita nuk ka votuar në vazhdimësi për dy arsye, për interesa të tyre politike dhe pamundësia e tyre për të miratuar pikat që i kanë propozuar ata”, ka thënë ai për “Zërin”.

Ndërkohë, ai ka thënë që koalicioni qeverisës ka qenë i përkushtuar në përmbushjen e agjendës së përcaktuar për vitin 2018.