Haliti: Jam angazhuar shumë që të mos vritet Bujar Bukoshi

E publikuar: 24/05/2018 22:08
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Xhavit Haliti thotë ka bërë shumë “luftë” për të mos u vrarë e për të mos u marrë peng Bujar Bukoshi, ish-kryeministër i Kosovës në kohën e luftës.

“Unë kam bërë luftë me njerëz që kanë dashur të shkojnë ta marrin peng Bujar Bukoshin në Gjermani, se nuk po i jep paratë”, ka thënë Haliti në “Rubikon” të KTV-së.

“Madje, ka pas një rast që kanë dashur edhe ta vrasin në Tiranë. Ç’është e vërteta e kemi shpëtuar situatën bashkë me kryeministrin e Shqipërisë. Kam pasur angazhim personal që të mos ndodh ajo vrasje në Kukës”, ka thënë Haliti, teksa ka përmendur edhe emrat e Kudusi Lames e Fatos Klosit si të përfshirë në përgatitjen e të gjithë logjistikës për të pamundësuar vrasjen e Bukoshit.

“Kemi arrestuar disa nga njerëz tonë në Kukës nga frika që mund të implikohen në atë punë, dhe ka shpëtuar për fat”, ka thënë tutje Bukoshi.

Ai ka thënë se është e vërtetë që ka ndodhur një takim mes Bujar Bukoshit, me Hashim Thaçin, ku ka marrë pjesë edhe ai, Rexhep Selimi, Ahmet Krasniqi. Kemi takuar edhe Fatos Nanon.

“Kemi qenë bashkë. Është e vërtetë që Hashim Thaçi të udhëheqë bisedimet dhe është e vërtetë që ka kërkuar që paratë të përdoren për luftën e UÇK-së. Nuk ka pasur ultimatum”, ka thënë ai, përcjell Koha.net.

Ai ka thënë se është e vërtetë edhe se pas këtij takimi është lëshuar një komunikatë nga Qeveria e Kosovës me firmën e Bukoshit që nuk ka dy ushtri, ka vetëm Ushtri Çlirimtare të Kosovës.

Haliti ka ripërsëritur se nuk dëshiron të flasë tash për këto çështje.

“S’dua të flas tash. Nuk dua të bëj aktakuzë ndaj Bukoshit. Ashtu kështu tash është në gjendje të rëndë shëndetësore. Le t’ia lëmë gjyqësorit”, ka thënë ai.

Haliti thotë se Bukoshi kishte sabotuar Krasniqin

20:38 – Sipas ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së Xhavit Haliti, ish-kryeministri i qeverisë së Kosovës në ekzil, Bujar Bukoshi dhe qeveria e tij e kishin sabotuar ministrin e Mbrojtjes, Ahmet Krasniqi.

Duke deklaruar se Krasniqi i kishte bërë ofertë UÇK-së se qeveria është e gatshme t’ua japë gjithë buxhetin, Haliti ka thënë se Ahmeti është sabotuar nga qeveria në këtë aspekt.

“As që ia kam lyp paratë, por ai e ka bërë ofertën, pa kushte hiq. Janë të gjallë të gjithë të pranishmit në atë takim pos Agim Mehmeti, që nuk është. Ahmetin e kanë sabotuar, e ka sabotuar qeveria e Kosovës. Bujar Bukoshi sepse Isa Mustafa në atë kohë ka qenë ministër i Bujarit dhe s’ka mundur të vendosë për paratë. Ai ka dhënë mjete më shumë për çështje tjera. S’është koha për me i çelë këto karta. S’po them asnjë shumë. Thash që të gjitha janë shuma qesharake sa ka dhënë dhe për çka i ka dhënë. Kam komunikuar me Bujarin, nuk dua ta mohoj. Gatishmëria e tij ka qenë tepër e madhe, por çka i ka ndodh nuk e di. Sidomos pas vrasjes së Ahmetit, ka qenë situatë e rëndë edhe për mua edhe për të. Akoma janë të pandriçuara. Pas vrasjes së Ahmetit, s’kam dashur të merrem me askënd. S’kam marrë pjesë në asnjë takim. Ka shkuar Kadri Veseli në takime me ta. S’dua të flas më shumë. Kam marrë para, por jo tetë milionë. Janë të shkruara sa. Le të merret dikush tjetër me to. Për mua duhet të mbeten sekret”, ka thënë Haliti.

Haliti ka paralajmëruar se gjithçka mund të zbulohet pas tre katër muajsh, por se vetë ai nuk do të flasë kurrë.

Haliti tregon ku s’u morën vesh me Ahmet Krasniqin, “FARK-u s’ka hy kurrë në Kosovë”

20:28 – Xhavit Haliti, ish-anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, në Rubikon të KTV-së ka sqaruar pikat ku s’ishte marrë vesh me Ahmet Krasniqin, nga qeveria e Kosovës në ekzil.

Ai ka thënë se Krasniqi kishte kërkuar takim dhe se kishte pasur një ofertë që qeveria është e gatshme ta ndihmojë UÇK-në me të gjithë buxhetin e vet.

Edhe pse ka ngurruar të flasë duke thënë se nuk është koha që opinioni t’i dijë detajet nga takimet me Krasniqin, Haliti ka bërë të ditur se në një takim në Oslo, Krasniqi kishte pasur disa kërkesa, që s’ishin pranuar nga pala e UÇK-së.

“Me Ahmet Krasniqin kam qëndruar çdo ditë. Në Oslo ka qenë situatë më ndryshe nga ajo që interpretohet në media. Unë kam pas raporte të mira me bacën Adem Demaçi. Realisht bacën Adem e kam çuar të bisedojë me Sali Berishën, kur ai ka qenë president edhe me Bujar Bukoshin kur ishte kryeministër dhe i kishte mjetet. Në Oslo e kemi caktuar takimin për të biseduar pikërisht për ofertën e Ahmet Krasniqit. Jo për të bërë marrëveshje siç interpretohet. Takimi është i regjistruar dhe nuk ka nevojë të shtrembëroj asgjë. Disa gjëra i ka kërkuar që unë s’jam pajtuar. Ka kërkuar që komunikatat të lëshohen në emër të qeverisë, komunikatat që lëshonte UÇK -ja, dhe ka bë ofertë për t’u bashkuar të gjithë. Ka dhënë propozimin që forcat e bashkuara të quhen Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës. Ka qenë ide e tij. Ne nuk jemi marrë vesh as për atë çështje. Unë e kam përfaqësuar UÇK-në, ai e ka përfaqësuar atë grupin e oficerëve që ky ka qenë koordinator i tyre dhe s’ka folur në emër të Bujarit, por ka thënë që e kam ofertën me na dhënë paret. S’ka fol asnjëherë në emër të Bujarit. Ai ka thënë se qeveria e Kosovës i ka ofruar të gjitha paret që ka për UÇK–në”, ka deklaruar Haliti.

Haliti ka thënë se asnjë oficer ushtarak s’ka hyrë në Kosovë si Forcë e Armatosur e Republikës së Kosovës (FARK).

“Si FARK s’kanë hy kurrë në Kosovë. Ata mund ta kenë pasur plane tjera. Ahmeti ka kërkuar që oficerët t’i orientoj unë dhe t’i çoj në Kosovë dhe me iu dhënë brigadat t’i drejtojnë. Unë s’e kam pas atë fuqi. S’kam mundur me i thënë çoje filanin me e drejtuar një brigadë, kur ajo brigadë e ka pas komandantin e vet. Ne jemi marrë vesh edhe në shtab të përgjithshëm që oficerët të vijnë në Kosovë e që shtabi i përgjithshëm i emëron në cilën brigadë të shkojnë e në detyra të veçanta qysh ka ndodh me shumicën e atyre që kanë ardhur në Kosovë për të luftuar”, ka thënë Haliti.

Haliti ka paralajmëruar se gjithçka mund të zbulohet pas tre katër muajsh, por se vetë ai nuk do të flasë kurrë.

Gjithë meritat për çlirimin e vendit, Xhavit Haliti, ia ka atribuuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ka thënë kështu duke arsyetuar atë se çështja e shpenzimit të parave duhet të jetë sekret i kësaj periudhe.

“Ne e kemi çliruar Kosovën. Ti do të flisje serbisht në një televizion po të mos ishte UÇK-ja. Po të mos ishte UÇK-ja nuk do të kishte liri në Kosovë. Çlirimi ka ardhur prej UÇK-së, e jo prej lutjeve të mëngjesit”, ka thënë ai.

Ka minuar rolin e Lidhjes Demokratike të Kosovës në këtë çështje.

“LDK-ja ka pasur shumë pak kontribut”, ka thënë ai në Rubikon të KTV-së.

Haliti thotë se Quni gënjeu për tetë milionë markat

20:16 – Xhavit Haliti, deputet i PDK-së, ka komentuar sërish deklaratat e deputetit të LDK-së, Anton Quni, se në kohën e luftës kishte pranuar tetë milionë markat nga qeveria e asaj kohe për UÇK-në.

Në Rubikon të KTV-së, Haliti ka thënë se Quni s’di asgjë për takimet që ka pasur Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së me qeverinë e Bujar Bukoshit dhe se ai gënjen për këtë rast.

“Ai ka rrejt së pari. S’është e vërtetë që i kam marrë 8 milionë. Së dyti ky s’ka qenë pjesë e bisedimeve dhe marrëveshjeve tona, mund të ketë dëgjuar gjëra të shkëputura. Gazetarët më pyetën a i kam marrë e ku i kam lënë. Ata që kanë qenë fëmijë nuk e dinë se çka ka ndodhë atëherë. Aq sa kemi marrë ne prej Bujar Bukoshit, krejt ajo sasi është shpenzuar për pesë ditë”, ka thënë Haliti duke shtuar se ka pasur përplasje politike mes dy grupeve. “Përplasje ka pas edhe brenda subjektit ku kam qenë LPK. Ka pas përplasje për çështje ndikimi, për gjëra të ndryshme. që disa janë bë publike kot”.

Haliti thotë se ka rrëshqitur dhe nuk e ka goditur Gashin me qëllim, shpjegon lidhjen me Dreshajn

Nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti, ka thënë se nuk kishte planifikuar të godiste deputetin Arben Gashi, në një përplasje në Kuvendin e Kosovës ditë më parë.

Në Rubikon të KTV-së, Haliti ka thënë se ka rrëshqitur në Kuvend dhe nuk e di si ishte përballur me Gashin, pikërisht një ditë pasi shkëmbyen fyerje. Haliti ka thënë se ndihet i fyer dhe i turpëruar për këtë rast.

“Po më vjen vështirë të flas për këtë ngjarje sepse kam gjithë këto vite në Kuvend dhe kurrë s’jam përla me dikë. Por atë ditë, me njëfarë mënyre situatën e provokoi Milaim Zeka që vazhdon t’i përmendë njerëzit me emra pa iu referuar diskutimeve të tyre. Unë s’e kam dëgjuar as që e ka përmend Arbenin. Ai reagoi duke e kërkuar fjalën e unë isha i bindur që s’ia ka përmend emrin sepse teknika ku jam unë nuk dëgjohet mirë, e as që isha duke e dëgjuar mirë Milaimin sepse s’ishte debat mes deputetëve, por kishte të bënte me të drejtën e mësimdhënësve të viteve 90’a për t’ju njohur stazhi. Nuk jam nervozuar asnjëherë, por jam ndier shumë i fyer dhe ka qenë një moment që edhe unë e kam humb kontrollin. S’kam qenë i qetë absolutisht. Është e turpshme për mua dhe për të ajo që na ka ndodh. Për mua është turp. E ndjej veten të turpëruar për atë që ka ndodh. Nuk e besoj se do të përsëriten dhe nuk duhet të përsëritet një gjuhë e tillë në Kuvend. Rregullat janë të tilla që ai i cili udhëheqë seancën ka të drejtë të interpretojë rregulloren qysh ia merr mendja dhe deputeti mund të ankohet me mekanizma të tjerë. Gabim është gjithçka në atë farë skene. Por ka ndodh dhe është diçka që nuk zhbëhet. Nuk mund të kthehet dhe të bëhet ndryshe, por po besoj që është e kaluar dhe nuk ka me pas tjera raste të tilla as mes deputetëve të tjerë e as me mua që jam gati në përfundim të karrierës e nuk do ta përsëris më”, ka thënë Haliti.

“S’jemi përleshur fizikisht. Kam marrë në thua dhe kam rrëshqitë e nuk e di si mu ka gjend ai përpara. Njëherë rrëshqet njeriu. Ai ka qëlluar aty, as që e kam pa. Veç e kam pa që dikush ma ka ngjitë për dore. Po të kisha qëllim me e goditë kam pas mundësi të tjera dhe vende tjera. Të paktën s’jam aq budalla sa ta bëj para kamerave të përleshem me dikë”, ka thënë më tej Haliti. “Unë s’e kam goditë. Goditja bëhet me boks. Unë duke u mbajt jam munduar të mbështetem. Ata filluan të më shajnë e unë s’dija çka po bëhet”, ka thënë më tej Haliti, duke shtuar se më përpara s’ka pasur kurrë përplasje, pos një fjalosje me ish-deputetin Gani Gecin.

Haliti ka thënë se bashkë me Gashin duhet t’u kërkojnë falje qytetarëve. Ka thënë se i takon Gashit, që është më i ri në moshë, t’i kërkojë falje Halitit.

Sa i përket përfshirjes së Gani Dreshajt në këtë përplasje, Haliti ka pranuar se janë miq dhe në të kaluarën thotë se s’kishin pasur biznese të përbashkëta, por se kishin krijuar një kompani “që nuk ka funksionuar kurrë”.

“S’jemi të afërt. Jemi shokë. Kurrë s’kemi pas biznese. As aksionarë as biznese s’kemi pas kurrë bashkë. Kemi pas një kompani të themeluar bashkë një kohë, por që s’ka funksionuar asnjëherë. Ka pas një ide që të investohet në Kosovë në një klinikë private, e kanë bërë një projekt më kanë thirrur si aksionar të hyj dhe të bëj kërkesë nga një fondacion që nuk e di si quhet. Atyre s’iu kanë dhënë kreditë, dhe dështoi. Ka kërkesë moti për me i heqë emrat, por në Kosovë ishte për çudi me i heqë emrat prej biznesi”, ka deklaruar Haliti.