Haki Abazi: Fajtorëve për faljen e hidrocentraleve t’u konfiskohet pasuria

E publikuar: 04/05/2018 11:34
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Prokuroria Speciale ka filluar hetimet për 5 ish-ministra, tre prej të cilëve janë pjesë e qeverisë Haradinaj. Hetimet janë duke u bërë në lidhje me privatizimin tinëzar të katër hidrocentraleve bashkë me distribucionin e energjisë elektrike.

Analisti Haki Abazi përmes një statusi në Facebook, publikisht i ka dhënë përkrahje Prokurorisë Speciale për këtë hap të rëndësishëm.

“Dua të shpreh publikisht përkrahjen dhe admirimin tim për prokurorinë speciale dhe kryeprokurorin për këtë hap të rëndësishëm që përveç që duhet të i dënojë përgjegjësit zyrtar për dëmtimin e rendë të interesit të shtetit dhe interesit publik gjithashtu duhet të përcaktoje rregull dhe standard veprimi dhe përgjegjësi për pozitat publike”, ka shkruar Abazi në Facebook.

Abazi e e sheh si fakt të kryer faljen e hidrocentraleve, por sipas tij tani duhet gjetur fajtorët të cilët përveç që duhet dënuar duhet edhe t’u konfiskohet pasuria.

“Falja e hidrocentraleve ka ndodhur dhe kjo është fakt, tani duhet gjetur fajtori kryesor dhe të tjerët dhe të ju jepet dënimi i merituar dhe të ju konfiskohet pasuria për të kompensuar dëmin material të shkaktuar – Ky rast nuk guxon të mbetet vetëm nismë për të krijuar kuota për vlerësimin e luftimit të krimit dhe korrupsionit për nevoja propagandistike”, ka shkruar tutje Abazi.

KALLXO.com dje raportoi ekskluzivisht për nisjen e hetimeve ndaj 5 ish ministrave dhe 3 ministrave aktual të Qeverisë së Kosovës.

Komitetin i privatizimit që kishte fjalën vendimtare për privatizimin e KEDS-it udhëhiqej nga ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj. Pjesë e komitetit drejtues ishin edhe Mimoza Kusar-i Lila (ish-ministre e Tregtisë dhe Industrisë), Dardan Gashi (ministër i Mjedisit) Bedri Hamza (ministër i Financave), Nenad Rashiq (ish- ministër i Punës)./kallxo.com/