Hajrullahu: Nisma Socialdemokrate e gatshme për të marr përgjegjësi në qeverisjen Haziri

E publikuar: 13/08/2019 18:12
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kreu i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri ka deklaruar edhe sot se koalicioni qeverisës në Gjilan mund të ndryshojë, ndërkohë që përfaqësues nga Nisma Socialdemokrate, dega në Gjilan. kanë thënë se janë të gatshëm të marrin përgjegjësi që përmes qeverisjes t’i shërbejnë qytetarëve.
Enver Hajrullahu, anëtar i Kuvendit Komunal të Gjilanit nga radhët e Nisma-s Socialdemokrate, ka thënë për Portalin 2LONLINE, se ky subjekt politik është i gatshëm për marrjen e përgjegjësive të reja nëse iu vije ndonjë ofertë konkrete.

Ai tha se është në dijeni me deklaratat më të fundit, të të parit të komunës, Lutfi Hazirit, por se ka pranuar që akoma nuk ka bisedime konkrete sa i përket Nisma-s Socialdemokrate dhe Hazirit, që njëherësh është edhe i pari i LDK-së në Gjilan.

Hajrullahu, që është edhe anëtar i kryesisë së degës së Nisma-s, ka bërë me dije se qysh në fillim të këtij mandati, Haziri kishte treguar gatishmëri për të qenë në bashkëqeverisje me Nisma-n, por rrethanat politike asokohe ishin të tilla dhe Nisma Socialdemokrate u rreshtua në taborin opozitar.

Megjithatë, Hajrullahu tha se tani janë rrethana tjera dhe se edhe në Kuvendin Komunal të Gjilanit, Nisma përherë ka qenë dhe është bashkëpunuese kur është në pyetje interesi qytetar. “Kemi treguar konstruktivitet përherë dhe kjo madje është parë dhe vlerësuar disa herë edhe nga vet kryetari i komunës, andaj unë e falënderojë atë edhe për besimin që pat shprehur për partneritet, por edhe tani për vlerësimin që ka për angazhimin e Nisma-n në Kuvend”, ka thënë Hajrullahu për 2LONLINE.

Ai ka shtuar se Nisma në Gjilan është e fuqishme, ka kuadro të përgjegjshme dhe profesionale dhe se është e gatshme kurdoherë për ta ofruar vetën në shërbim të qytetarëve, madje duke marrë hise të përgjegjësisë edhe në qeverisjen komunale, natyrisht ka ofertë serioze dhe pasi për një gjë të tillë të vendosin organet vendimmarrëse të partisë.