Hajdari: Shkarkimet në Postë ndodhën pasi ndërmarrja u degradua

E publikuar: 10/04/2020 19:42
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministrja në detyrë e Ministrisë së Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjikë (MEPTINIS), Rozeta Hajdari, në një konferencë për media ka folur lidhur me Postën e Kosovës dhe shkarkimet që ndodhën aty.

Kryeshefi Ekzekutiv i Postës, Shefqet Avdija, dhe Behgjet Maliqi, zyrtar kryesor financiar i Postës, u shkarkuan sot nga Bordi i Përkohshëm.

Hajdari tha se shkarkimi u bë pasi ndërmarrja kishte degraduar në 3 vitet e fundit.

Ministrja në detyrë e MEPTINIS, Rozeta Hajdari, ka dhënë statistika të humbjeve nga ndërmarrja Posta e Kosovës.

“Trendi i humbjeve financiare ka vazhduar nga viti në vit, në total, 1 milion e 584 mijë e 554 euro në vitin 2016. Më pas në vitin 2017 ishte rritur në 1 milion e 942 mijë e 991 euro. Dhe në vitin 2018, humbja ishte 2 milionë e 333 mijë e 841 euro. Për më tepër Posta e Kosovës kishte marrë opinion nga zyra kombëtare e aludimit. Aty thuhej se ishte më e keqja ndër vite. Po ashtu Posta e Kosovës ka planifikuar për marrjen e shërbimeve konsulente. Kjo konsulencë që është marrë nga Posta është për shërbime të rregullta, dhe s’ka pasur konsulencë specifike”, tha Hajdari, raporton Koha.

“Ne si Qeveri jemi obliguar të reagojmë shpejtë për të ndalur keqmenaxhimin e parasë publike. Gjithçka që është marrë nga Bordi i Përkohshëm është bërë në përputhje me ligjin”, tha tutje ajo.

Mentor Arifaj, anëtar i Bordit të Përkohshëm të Ndërmarrjes “Posta e Kosovës”, tha se Bordi i Përkohshëm ka marrë vendim për shkarkim për shkak të shkeljeve të shumta ligjore që janë bërë në Postë.

Ai tha se AKK-ja e ka bërë publike raportin për Postën ku janë rreth 17 gjetje.

Arifaj, ndër tjera, theksoi se në raport thuhet se kontrolli mbi menaxhimin financiar në Postën e Kosovës nuk janë në nivelin e duhur.

Rreth viteve 2012-2018, tha Arifaj, janë 19 milionë euro humbje në vazhdimësi në “Postën e Kosovës”.

Mentor Arifaj, anëtar i Bordit të Përkohshëm të Ndërmarrjes “Posta e Kosovës”, ka thënë se Bordi ende s’ka marrë ndonjë vendim për pagat.

“Punësime familjare nuk do të ketë”, tha ai.