Hahn: Taksa ndaj Serbisë nuk duhet të mbetet në fuqi

E publikuar: 03/12/2018 18:53
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Komisioneri për Zgjerim i BE-së, Johannes Hahn, ka folur pas takimeve me krerët e shtetit të Kosovës.
Ai në një konferencë për media ka thënë se Bashkimi Evropian ishte i befasuar dhe zhgënjyer me vendimin e Qeverisë së Kosovës për vendosjen e tarifave doganore për produktet që importohen nga Serbia dhe Bosnja Hercegovina.

“Kemi qenë të befasuar dhe të zhgënjyer me vendosjen e tarifave doganore ndaj Serbisë dhe kjo nuk duhet të mbetet në fuqi, por të fokusohemi në fushat e lartpërmendur. BE jemi në dijeni për vështirësitë aktuale në tregti dhe në të gjitha takimet e mia kam propozuar që të fokusohemi në zgjidhjen e çdo gjëje që kanë të bëjë me tregtinë ndërmjet dy vendeve”, ka thënë Hahn.

Hahn ka folur edhe për liberalizmin e vizave, derisa ka shtuar se kjo çështje është tek Këshilli i Ministrave të cilët janë duke u marrë më procesin e Kosovës.

Komisioneri Hahn ka kërkuar nga qytetarët e Kosovës që të kenë durim edhe për disa muaj që të merret pëlqimi nga të gjitha vendet anëtare të BE-së.

“Puna është kryer nga Kosova kur është marrë vendimi dhe pastaj ishte radha jonë ta implementojmë dhe kjo ka përfunduar nga Komisioni dhe më pas nga Parlamenti Evropian. Çështja gjendet tek Këshilli Evropian dhe merr më shumë kohë për tërë procesin. Nëse përmendim data, viti 2020 është diçka më realiste, por ndoshta edhe më herët”, ka thënë Hahn.