Hahn: Referendumi në Maqedoni dëshmoi përkrahje të gjerë për marrëveshjen e Prespës

E publikuar: 30/09/2018 22:18
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Komisionari i Bashkimit Evropian për Zgjerim, Johannes Hahn, është deklaruar për rezultatin e referendumit në Maqedoni.

Ai ka vlerësuar se votat “për” në referendum janë të rëndësishme dhe më këtë jepet përkrahje e marrëveshjes së Prespës për emrin e ri të shtetit.

“Ju uroj atyre që votuan sot në referendumin konsultativ dhe shfrytëzuan liritë e tyre demokratike. Me të rëndësishmen “po”, ka përkrahje të gjerë për marrëveshjen e Prespës dhe të ardhmes euroatlantike të vendit”, shkroi Hahn në rrjetin social “Twitter”.

“Tash”, shtoi ai, “pres të gjithë liderët partiak të respektojnë këtë vendim dhe ta zbatojnë me përgjegjësi të madhe”.

Sipas të dhënave të para që i publikoi Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) në faqen e internetit nga 20 për qind të përpunuara nga vendvotimet, “pro” në pyetjen e referendumit janë deklaruar 91,03 për qind, ndërsa “kundër” ishin 6.03 për qind.

Qytetarët e Maqedonisë në referendumin e sotëm u deklaruan për pyetjen “Nëse jeni për anëtarësimin në BE dhe NATO me pranimin e Marrëveshjes midis Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Greqisë”.

Sipas të dhënave të fundit të publikuara nga KSHZ-ja, jehona e referendumit deri në orën 18:30 ishte 34,09 për qind.