Hahn e Mogherini vlerësojnë zgjedhjet në Shqipëri

E publikuar: 27/06/2017 00:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Zv.presidentja e BE-së dhe njëkohësisht përfaqësuesja e lartë e Politikës së Jashtme dhe Çështjet e Sigurisë, Federica Mogherini, përmes një deklarate të përbashkët me komisionerin e Zgjerimit dhe Fqinjësisë, Johannes Hahn, kanë vlerësuar zgjedhjet në Shqipëri.

Sipas tyre, zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit në Shqipëri u zhvilluan në mënyrë të qetë dhe të rregullt, e qytetarët përfituan nga një ofertë e gjerë politike në një moment tepër të rëndësishëm për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE.

Duke cituar edhe raportin paraprak të misionit të mbikëqyrjes së zgjedhjeve nga OSBE-ODIHR, garuesit zgjedhorë patën mundësi të bënin fushatë lirshëm dhe liritë fundamentale të tubimit dhe shprehjes u respektuan. Edhe korniza e përgjithshme zgjedhore dha bazat e duhura për të zhvilluar zgjedhje të lira dhe demokratike.

Gjithsesi, dy përfaqësuesit e BE-së thonë se kanë mbajtur shënime mbi rezervat e shprehura nga vëzhguesit në lidhje me politizimin e organizmave zgjedhore si dhe zbatimin jo konsistent të ligjit.

“Ne presim masat e përshtatshme ndaj gjetjeve paraprake të misionit të OSBE-ODIHR-it, e veçanërisht ndaj akuzave për blerje votash dhe presion ndaj votuesve, si dhe ndërhyrjen e paautorizuar të aktivistëve të partive, që mund të minojnë besimin e publikut te zgjedhjet”.

Megjithatë, ata thonë se me të mbaruar procesi zgjedhor, BE-ja do të angazhohet për mbështetjen e qeverisë së re në lidhje me reformat dhe procedimin e mëtejshëm të procesit të integrimit në bllokun europian. “Vazhdimi i Reformës në Drejtësi dhe lufta kundër trafikimit dhe kultivimit të narkotikëve do të jetë me rëndësi të veçantë në këtë aspekt”, thuhet në deklaratë.

Në fund zotohen edhe për partneritetin e vazhdueshëm me Shqipërinë në promovimin e bashkëpunimit rajonal dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, shkruan Top Channel.