Haga nuk jep informacione se kur mund të ngrihen aktakuzat ndaj pjesëtarëve të UÇK-së

E publikuar: 30/06/2017 15:36
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Dy ditë pasi Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese konstatoi se Rregullorja e Procedurës dhe e Provave është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, duke i hapur ligjërisht rrugë prokurorit specialist, që të nisë ndjekjen e ish-pjesëtarëve të UÇK-së nga java tjetër, në Hagë nuk komentojnë se kur mund të ngrihen aktakuzat e para.

Gazeta Express ka dërguar pyetje në adresë të Zyrës së Prokurorit Specialist për të kërkuar sqarime se kur mund të nisë ngritja aktakuzave tash kur ligjërisht kjo gjë mund të bëhet nga e mërkura e ardhshme.

Jospeh L.Hollerhed, asistent ekzekutiv i Prokurorit dhe Zëvendësprokurorit Specialist, nuk ka treguar nëse aktakuzat do të ngrihen menjëherë.

“Prokurori Specialist është i inkurajuar nga miratimi i Rregullores së Procedurës dhe e Provave. Rregullat ndihmojnë që të sqarohet se si do ta bëjë punën e saj Zyra e Prokurorit në të ardhmen”, ka thënë Hollerhed.

Ndërkohë, në një artikull të gjatë për Kosovën gazeta gjermane, Der Spiegel, ka shkruar se subjekt i ndjekjes nga Gjykata Speciale mund të jetë edhe Presidenti i vendit Hashim Thaçi. Por, as për këtë në Hagë nuk pranojnë të komentojnë.

Ende para se të themelohet Zyra e Prokurorit Specialist, një Task-Forcë e BE-së ka kryer hetime për 3 vjet me radhë ndaj krerëve të UÇK-së, ata të nivelit më të lartë, nën dyshimet se kanë kryer krime ndaj pjesëtarëve të pakicave gjatë dhe pas luftës në Kosovë.

Hollerhed ka thënë se këto hetime janë duke vazhduar ende.

“Siç e ka thënë Prokurori, në të kaluarën, është e papërshtatshme profesionalisht, legalisht dhe jo etike për të që të komentojë rreth çështjeve që ndërlidhen me hetimet, të cilat janë duke vazhduar, apo të komentojë rreth çështjeve të së ardhmes që ndërlidhen me mandatin e Zyrës së Prokurorit Specialist. Siç e ka thënë ai, spekulimet rreth këtyre çështjeve nuk i shërbejnë asnjë qëllimi”, ka thënë Hollerhed.