Guvernatori Mehmeti prezantoi masat e BQK-së për tejkalimin me më pak dëme në ekonomi nga pandemia Covid 19

E publikuar: 03/04/2020 13:21
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti i shoqëruar nga dy zëvendësguvernatorët Sokol Havolli dhe Lulzim Ismajli ka paraqitur para mediave, masat e ndërmarra nga BQK-ja pas paraqitjes së Pandemisë Covid 19.

Guvernatori Mehmeti ka thënë se derisa institucionet tjera janë duke u kujdesuar në ruajtjen e shëndetit dhe shpëtimit të qytetarëve ,BQK-ja është duke punuar shumë në ruajtjen e shëndetit të ekonomisë apo shpëtimin e ekonomisë me sa më pak pasoja, që është e domosdoshme për ta ruajtur mirëqenien e qytetarëve tanë gjatë dhe pas krizës.

Ai ka bërë të ditur se në kuadër të masave për të parandaluar apo ngadalësuar shpërndarjen e virusit, ngjashëm me vendet tjera, Kosova po aplikon një shkallë mjaft të lartë të mbylljes, duke lejuar funksionimin vetëm të sektorëve ekonomikë, që ofrojnë mallrat dhe shërbimet e domosdoshme për qytetarët.

“Kjo ka ndikuar në ndërprerjen e aktivitetit në shumë sektorë të ekonomisë , duke lënë bizneset pa të hyra, përderisa detyrimet e këtyre bizneseve vazhdojnë të jenë aktive, gjë që rrezikon aftësinë e tyre paguese dhe mund t’i shtyjë ato edhe drejt dështimit. Në të njëjtën kohë, punonjësit e këtyre bizneseve rrezikojnë që pjesërisht apo edhe plotësisht të mbeten pa të ardhura, duke ndikuar kështu negativisht në fuqinë blerëse të konsumatorëve. Në këto kushte, kur kërkesa për kredi bie dhe po ashtu edhe pasiguria për të ardhmen rritet, pritet të ketë edhe rënie të kreditimit nga institucionet financiare, duke ndikuar kështu në zvogëlimin e një burimi shumë të rëndësishëm të financimit të konsumit dhe investimeve. Një kanal tjetër i rëndësishëm i goditjes së ekonomisë së Kosovës nga kriza pandemike mund të jetë edhe sektori i jashtëm. Kosova ka një varësi mjaft të lartë nga remitencat, duke pranuar një shumë prej mbi 10% të BPV-së në baza vjetore. Rënia e aktivitetit ekonomik në vendet e zhvilluara pa dyshim se pritet të ndikojë edhe në zvogëlimin e këtij burimi shumë të rëndësishëm për financimin e konsumit në vendin tonë. Përkundër rrjedhës së qëndrueshme që kanë pasur remitencat drejt Kosovës, ato kishin shënuar rënie në kohën e krizës së fundit globale ekonomike, gjegjësisht në vitet 2009, 2010, 2011, prandaj mbetet të shihet se si do të manifestohen efektet e krizës pandemike në ekonomitë, ku është e koncentruar diaspora jonë për të pasur një vlerësim më konkret për sjelljen e remitancave gjatë këtij viti”, deklaroi Guvernatori Mehmeti.

Një nga sektorët që pritet të goditet nga Pandemia Covid 19 është edhe eksporti, duke ndikuar kështu në rritjen e mëtejme të efekteve të krizës në ekonominë e Kosovës, ndërsa pamundësia për të realizuar aktivitetin ekonomik në kushte normale, si dhe pasiguria për zhvillimet në të ardhmen, pritet të ndikojë në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe në rënien e investimeve të huaja direkte.

Ndërkaq, kategoria e cila pritet të ruajë më tepër qëndrueshmërinë gjatë kësaj periudhe janë shpenzimet publike, rrjedha e të cilave në ekonomi pritet të zbusë deri në një masë efektet negative nga kanalet e lartpërmendura.
Pakoja e miratuar nga Qeveria e Kosovës ditë më parë pritet të ofrojë një injeksion të nevojshëm të fondeve drejt ekonomisë. Sidoqoftë, kushtet nëpër të cilat po kalon ekonomia e vendit nuk do të lënë pa sfiduar edhe financat publike.

“Me qëllim të zbutjes së pasojave të kësaj krize për ekonominë tonë, ne si Bankë Qendrore e Republikës së Kosovës kemi qenë proaktiv duke ndërmarrë një gamë të masave të cilat kanë për qëllim sigurimin e funksionimit normal të sistemit financiar dhe zbutjes së ndikimit të krizës në ekonominë tonë. Gjithashtu kemi qenë në përcjellje të vazhdueshme të zhvillimeve në nivel të regjionit, BE-së dhe atij ndërkombëtar, si dhe kemi qenë në komunikim të rregullt me bashkëpunëtorët tanë ndërkombëtarë, siç janë FMN-ja, Banka Botërore, BERZH, dhe me odat ekonomike ne Kosovë, dhe të gjithë i ndajmë shqetësimet e njëjta për situatën e krijuar, e në veçanti për pasojat që mund të kemi në rast të zgjatjes së kësaj situate. Dhe natyrisht, brenda mandatit kushtetues të BQK-së kemi koordinuar veprimet me të gjitha institucionet e Kosovës me qëllim të ballafaqimit sa më efektiv të situatës se krijuar”, tha tutje Guvernatori.

Ai para gazetarëve ka prezantuar masat që BQK-ja i ka ndërmarrë, duke filluar nga sigurimi i funksionimit të rregullt të sistemit të pagesave në mbarë Kosovën, përfshirë këtu zonat e
prekura, të cilat kanë qenë të izoluara për një periudhë të caktuar kohore.

Ekonomia e vendit gjatë gjithë kohës është e furnizuar mjaftueshëm me para të gatshme dhe dëshiroj edhe një herë të i sigurojmë qytetarët, se të gjitha bankat kanë likuiditet të mjaftueshëm dhe se nuk do të ketë asnjë problem lidhur me furnizimin me para të gatshme.

“BQK-ja ka filluar me dezinfektimin e rregullt te të gjitha parave me të cilat e furnizon tregun, si masë mbrojtëse për shfrytëzuesit e parave të gatshme. Si do që të jetë, duke e pasur parasysh se paratë kanë qarkullim të shumëfishtë nga momenti i parë që dalin nga banka, ne i lusim qytetarët që të respektojnë me përpikëri udhëzimet e higjienës që janë lëshuar nga institucionet shëndetësore pas çdo transaksioni me para të gatshme apo me kartelë. Nivelet e likuiditetit në sektorin bankar më 31 mars 2020 mbesin në nivel të kënaqshëm prej 35.3% duke shënuar një rritje të lehtë prej 0.3% pikë përqindje krahasuar me 16 mars 2020. Po ashtu, edhe depozitat janë shumë stabile, më 31 mars 2020 kanë arritur shumën prej 3.88 miliardë euro duke shënuar një rritje prej 9.3 milionë euro krahasuar me datën 16 mars 2020. Duke i kuptuar vështirësitë me të cilat po ballafaqohen një pjesë e bizneseve dhe punonjësve, BQK-ja së bashku me institucionet kredidhënëse, kanë vendosur për lejimin e një periudhë mospagimi për pagesat e kësteve të kredisë duke filluar nga data 16 mars 2020 deri më 30 prill 2020 dhe në varësi të zhvillimeve të situatës kjo periudhë mund të zgjatet. Kjo ka për qëllim lehtësimin e barrës financiare për të gjithë huamarrësit që po hasin në vështirësi të realizimit të të hyrave si pasojë e krizës pandemike. Pezullimi i përkohshëm i pagesave të kësteve të kredisë do të rishikohet rast pas rasti nga bankat me qëllim që këto përfitime të shkojnë vetëm te ata të cilët janë prekur nga kriza aktuale. Në rast të miratimit të një kërkese të tillë nga banka, interesat ndëshkuese të lidhura me kreditë nuk do të aplikohen në këtë periudhë. Gjatë kësaj periudhe, asnjë masë e përkeqësimit të vlerësimit të kredisë nuk do të zbatohet për huamarrësit” tha me tutje Guvernatori duke shtuar se BQK-ja përmes masave të saj të regjistrit të kreditit ka ndërmarrë të gjitha masat e duhura ligjore për të parandaluar klasifikimin e kredive, të mos kërkojë provizione shtesë dhe të mos klasifikohen si kredi joperformuese në Regjistrin e Kredive.

Ai edhe njëherë sqaroi se bankat në asnjë rast nuk duhet të rritin tarifat për kryerjen e shërbimeve.

Sipas parashikimeve të BQK-së, në vitin 2020 ekonomia e Kosovës do ta ndërpresë ekspansionin ekonomik që karakterizohej me një rritje mesatare vjetore prej 3.6 përqind në dhjetë vitet e fundit.

Nën supozimin se tronditjet ekonomike në ekonominë e Kosovës do të ndjehen më tepër në tremujorin e parë dhe të dytë dhe pjesërisht edhe në tremujorin e tretë të vitit, parashikimet tona preliminare sugjerojnë për një rënie ekonomike reale në intervalin -2% deri -4% për vitin 2020.

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, duke zbatuar plotësisht rekomandimet e institucioneve shëndetësore, menjëherë ka arritur që ta rikthej çdo funksion të saj në normalitet të plotë dhe 100% funksionale.

BQK-ja ka themeluar Ekipin e Vazhdimësisë së Punës si dhe është themeluar Komiteti
ndërinstitucional mes BQK-së, Thesarit dhe Shoqatës së Bankave për të siguruar funksionim normal të sistemit financiar në vend.