Guvernatori Mehmeti diskuton me përfaqësuesit e odave ekonomike për programin e rimëkëmbjes

E publikuar: 05/05/2020 13:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në vazhdën e takimeve të rregullta pas shpërthimit të pandemisë Covid-19, Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK) z. Fehmi Mehmeti ka pritur në takim përfaqësuesin e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë z. Arian Zeka dhe të Odës Ekonomike të Kosovës z. Berat Rukiqi.

Guvernatori Mehmeti i njoftoi përfaqësuesit e odave ekonomike lidhur me gjendjen në sektorin financiar duke potencuar se sektori financiar në Kosovë, e në veçanti ai bankar është stabil me tregues të lartë të likuiditetit dhe nivele të larta të kapitalit.

Gjatë takimit gjithashtu u shkëmbyen ide rreth programit të rimëkëmbjes, e me këtë rast edhe të nevojave dhe
prioriteteve të ndërmarrjeve në Kosovë, ku Guvernatori Mehmeti theksoi se pas përfundimit të pandemisë dhe largimit të masave kufizuese, rimëkëmbja ekonomike do të varet shumë nga masat ekonomike të ndërmarra gjatë dhe pas pandemisë.

Guvernatori Mehmeti foli për masat që duhen zbatuar në mbështetje të ekonomive familjare dhe ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme, duke theksuar rolin e Fondit Kosovar për Garanci Kreditore në lehtësimin e qasjes në financa.

Gjithashtu, Guvernatori Mehmeti potencoi se Kosova për fat të mirë ka një nivel të ulët të borxhit publik në raport me Bruto Produktin Vendor, gjë që mundëson fleksibilitet për sa i përket pakos së rimëkëmbjes.

Ndërsa, drejtuesit e odave ekonomike theksuan mes tjerash edhe nevojën e një koordinimi më të ngushtë ndërmjet të gjithë akterëve të rëndësishëm me qëllim të një rikuperimi të shpejtë.

Ata u shprehën se ndër prioritetet më të rëndësishme mbeten injektimi i mjeteve likuide në ekonomi, si dhe përkrahja e sektorëve aktiviteti i të cilëve do të vazhdojë të jetë i kufizuar edhe pas fazës së pandemisë, ndërsa roli i bankave komerciale në këtë aspekt është tejet i rëndësishëm./Infosot/