Gucati s’përjashton mundësinë që Specialja të ftojë Thaçin e Veselin, Gjykatën e quan raciste

E publikuar: 27/07/2019 11:00
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, ka thënë se pas ftesës nga Gjykata Speciale që i është bërë kryeministrit në dorëheqje, Ramush Haradinaj, nuk përjashtohet mundësia që ftesë të marrin edhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeparlamentari Kadri Veseli.

Ai në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se mund të priten befasi të ndryshme tani e tutje.

“Unë nuk guxoj të them që pritet ftesa, por tash mund të ndodhë çdo gjë, ka befasi, nuk mund të them po ose jo”, tha ai.

Gucati tha se çdo minutë, çdo ditë priten ftesa nga Gjykata Speciale. E, numri i atyre që deri më tani janë thirrur nga kjo Gjykatë ka shkuar mbi 80.

Gucati ka thënë se në mesin e të intervistuarve nga kjo Gjykatë ka edhe deputetët të cilët vetë e kanë votuar krijimin e kësaj Gjykate.

“Prej Gjykatës Speciale pritet gjithçka. Kjo është një Gjykatë e pabesë po e them me sinqeritetin më të madh. Kjo mund ta thirr edhe ndonjë fëmijë që në atë kohë i ka pasë 8 ose 9 vjet. Çdo minutë , çdo ditë presim ftesa prej Gjykatës Speciale, do të jetë numër bukur i madh i të ftuarave, deri më tani kanë shkuar mbi 80. Kemi deputetët të Parlamentit të Kosovës që kanë dhënë intervistë këtu në Dhomat e Specializuara në Kosovës e që s’kanë dashur që emrat t’u bëhen publik. Unë ju kisha bë apel shokëve që s’kemi nevojë të fshehim emra, duhet me qenë krenarë pse kemi qenë pjesë e UCK-së dhe Komandat, duhet të jenë krenarë”, tha ai për Ekonomia Online.

Ai thotë se Gjykata Speciale është turpi më i madh që ka ndodhur në historinë tonë.

“Kjo Gjykatë politike synon ta barazon luftën e UCK-së me krimet serbe në Kosovë. Parlamenti i Kosovës ku në mesin e tyre kemi pasë ushtarë që janë deputetë sot dhe në atë kohë që kanë qenë e kanë votuar këtë Gjykatë. Ky është turpi më i madh që ka ndodhur në historinë tonë që të jemi kundër vetvetes, këtë e kanë bërë me apo pa vetëdije por është mirë të dalin dhe të kërkojnë falje para opinionit, gjithë ata deputetët që e kanë votuar Gjykatën Speciale”, tha Gucati.

Sipas tij, Gjykata përveç se është politike ajo mund të quhet edhe Gjykatë raciste ngase siç tha ai është e njëanshme dhe nuk është për të gjithë qytetarët e Kosovës.

“Për ne është e papranueshme dhe me kohë kemi reaguar kundër Gjykatës Speciale. Me plotëkuptimin e fjalës them që kjo është Gjykatë raciste, kemi fakte dhe argumente pse është raciste, është e njëanshme, nuk është Gjykatë për të gjithë qytetarët e Kosovës apo për të gjitha etnitë që jetojnë në Kosovës. Është vetëm për shqiptarët dhe ushtarët e UÇK-së”.

Gucati e ka quajtur të padrejtë intervistimin për të katërtën herë të Ramush Haradinajt në Hagë. Ai thotë se Haradinaj është i pafajshëm gjë të cilën e ka dëshmuar tash e sa herë dhe se do të dalë triumfues në fund.

Ai ka paralajmëruar se nëse kjo Gjykatë do të shpallë dënime për ndonjërin nga të ftuarit atëherë do të mobilizohen dhe do të marrin masa të duhura.