Guardiola: Emery do ta kthejë Arsenalin në luftë për tituj

E publikuar: 12/08/2018 10:35
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola e ka mbështetur Unai Emery që të bëjë ndikim të menjëhershëm te Arsenali dhe ta kthejë klubin në garë për titullin e Ligës Premier.

Këto komente trajneri i Cityt i ka bërë në konferencën për shtyp para udhëtimit të tyre te Arsenali në ndeshjen e sotme (e diel), e cila zhvillohet nga ora 17:00 dhe është e vlefshme për javën e parë të Ligës Premier.

“Ata mund ta bëjnë këtë”, ka thënë fillimisht Guardiola në një konferencën e tij për shtyp para ndeshjes ndaj Arsenalit.

“Ai ka mjaft përvojë për të ditur saktësisht se çfarë duhet. Ai ishte në Francë, ishte me shumë skuadra në Spanjë, kështu që ka shumë përvojë”.

Emery gjatë një stërvitje me Arsenalin

“Ndoshta këshilla ime është e mirë për mua, por nuk mund të jetë edhe për të. Njerëzit më folën kur arrita duke thënë se është kështu apo ashtu, por kam zbuluar shumë gjëra gjatë procesit, duke shikuar se çfarë ndodh”.

“Ai është një menaxher i zgjuar, inteligjent, i përgatitur mirë, kështu që ai do të dijë saktësisht se çfarë duhet të bëjë”.

“Kam shumë respekt për karrierën e tij, duke filluar nga fundi dhe duke bërë një karrierë të shkëlqyer, duke fituar tituj dhe duke e bërë ekipin e tij të vështirë”.

“Tani ai është në Arsenal, një nga skuadrat më të mira në Angli, dhe sigurisht ai është një kandidat për të fituar tituj”, përfundoi trajneri spanjoll. /Telegrafi/