Grupi C: Roma kualifikohet si lidere, i bashkohet Chelsea (Video)

E publikuar: 06/12/2017 06:40
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Roma ka shënuar fitore minimale ndaj Qarabagut në Olimpico me rezultat 1-0, por që ka mjaftuar që Giallorosët të sigurojnë lidershipin në Grupin C të Ligës së Kampionëve, ku në vendin e dytë me pikë të njëjtë përfundoi Chelsea pas barazimit në Londër me Atletico Madridin me rezultat 1-1.

Në Romë u zhvillua ndeshje mjaft intensive, ku Roma u prit të demolonte mysafirët.

Megjithatë, Giallorosët vetëm dominuan dhe pjesa e parë, befasisht, përfundoi pa gola.

Në pjesën e dytë Roma insistoi edhe më shumë deri kur në skenë u shfaq Diego Perotti i cili me asist të Dzekos shënoi për 1-0 në minutën e 58-të.

Deri në fund Roma vazhdoi të insistonte, por nuk pati gol dhe me rezultatin minimal Roma siguroi një kualifikim tutje.

Një ndeshje mjaft e balancuar me raste shënimi u zhvillua në Stamford Bridge, ku pjesa e parë përfundoi pa gola.

Simeone kërkoi gol në pjesën e dytë dhe atë ja solli Saul Niguez në minutën e 56-të të takimit.

Në minutën e 75-të Stevan Savic shënoi për 1-1 një autogol të parëndësishëm pasi Roma po triumfonte ndaj Qarabagut.

Deri në fund nuk pati ndryshim në rezultat dhe Chelsea me barazim siguroi vendin e dytë me pikë të barabarta me Romën, por bilanc më të dobët.

Roma do të takohet me vendet e dyta të grupeve rivale (me skuadra jo italiane), kurse Chelsea do të përballet me liderët e grupeve tjera në fazën tjetër (që janë skuadra jo angleze).

/Telegrafi/