Greva në arsim, deklarohet kreu i MASHT-it

E publikuar: 21/02/2018 23:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Pakënaqësia e nivelit të rritjes së pagave, çështja e Ligjit për statusin e punëtorëve të arsimit shqip të Kosovës për vitin shkollor 1989/90 e deri në vitin shkollor 1998/99, mos funksionalizimi i Ligjit mbi sigurimet shëndetësore, janë disa nga çështjet për të cilat Sindikata e Bashkuara e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës po kërkon të gjendet zgjidhje nga institucionet kompetente.

SBASHK-u mori vendim ditë më parë për fillimin e një greve në arsimin parauniversitar dhe atë universitar.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari ka theksuar se nëse me grevën njëorëshe nuk realizohen kërkesat e tyre për rritje të pagave atëherë do të fillonte një grevë e pashkallëzuar.

Ndër kërkesat e SBASHK-ut është gjithashtu njohja e sakrificës së mësimdhënëse të viteve të 90-ta.

Lidhur me gjithë këtë proces gjatë ditës së djeshme kryeministri i vendit bashkë me dy ministra kanë pasur një takim me përfaqësues të SBASHK-ut.

“Është diskutuar kjo temë me SBASHK-un, në takimin e përbashkët me kryeministrin, Ministrin e Financave dhe unë. Nga kryeministri janë njoftuar se jemi në proces të shqyrtimit buxhetor, ndërsa nga ana ime është kërkuar ndërprerja e grevës pasi po dëmtohet procesi mësimor”, ka thënë pwr Indeksonline Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi.

Ndryshe ministri Bytyqi ka thënë se tani e tutje janë duke u parë vetëm çështjet buxhetore.

“Ne si MASHT e kemi finalizuar ligjin, tani është duke u parë vetëm ndikimi buxhetor që nuk varet nga ne. Ne jemi pro ligjit derisa e kemi finalizuar”, ka thënë Bytyqi./Indeksonline/