Greva e punëtorëve shtynë edhe seancën ndaj Azem Sylës

E publikuar: 11/07/2018 11:51
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Seanca gjyqësore ndaj ish-deputetit të PDK-së, Azem Syla dhe të tjerëve në rastin “Toka”, e paraparë të mbahet të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është anuluar.
Kryetari i trupit gjykues, Beqir Kalludra ka thënë për “Betimi për Drejtësi”, se për shkak të grevës së punëtorëve administrativë të gjykatave dhe prokurorive, e ka anuluar seancën ndaj Sylës dhe të tjerëve, që akuzohen për vepra të ndryshme penale që lidhen me krimin e organizuar.

Ai ka thënë se seancën e radhës në këtë rast e ka caktuar për 16 korrik, të hënën e javës së ardhshme.

Në këtë rast janë shumë seanca që kanë dështuar për arsye të ndryshme, duke pamundësuar kështu fillimin e shqyrtimit kryesor.

Për dallim nga seancat e kaluara, kur ky rast gjykohej nga EULEX-i, në seancën e radhës, 22 të akuzuarit do të jenë para një trupi gjykues vendor, të udhëhequr nga gjykatësi Beqir Kalludra.

Pas shumë dështimeve për të filluar shqyrtimi gjyqësor, në seancën e 20 shkurtit 2018, gjykatësi i EULEX-it Petko Petkov, kishte njoftuar palët se ky rast do të gjykohej nga vendorët.

Pasi Petkov e kishte dhënë këtë informacion, prokurori që kishte ngritur aktakuzën Danilo Cecarelli, atë vendim e kishte quajtur turp, duke e konsideruar edhe si një dështim të madh të misionit të EULEX-it, në Kosovë.

Për më tepër Ciccarelli ishte shprehur se kalimi i këtij rasti te vendorët do të thotë përfundim i rastit.

Përpjekja e parë për të filluar shqyrtimin kryesor ishte bërë më 9 janar 2018.

Atë ditë edhe pse në sallën e gjykimit ishte paraqitur prokurori i rastit Danilo Ciccarelli dhe pothuajse të gjithë të akuzuarit me mbrojtësit e tyre, kryetari i trupit gjykues Arccadius Sedeck doli para palëve vetëm me një anëtarë të trupit gjykues, gjykatësin Petko Petkov.

Sedeck kishte thënë se për shkak se në trupin gjykues ende nuk ishte caktuar një gjykatës vendor, seancat e javës së dytë të janarit duheshin të shtyheshin.

Kjo kishte ndodhur pasi në këtë rast, para ngritjes së aktakuzës ishte zhvilluar procedura hetuese e veçantë dhe në atë kolegj, si gjykatëse vendore kishte marrë pjesë gjykatësja Nora Bllaca, e cila ndërkohë është transferuar në Gjykatën e Apelit.

Gjykatësi Sedeck, kishte thënë se ai ka paraqitur një kërkesë në Këshillin Gjyqësor të Kosovës që Bllacën ta kthej në trupin gjykues të këtij rasti në mënyrë që të vlejnë provat e marra në mundësinë hetuese të veçantë.

Edhe pse Sedeck kishte thënë se kërkesa e tij do të shqyrtohej brenda një jave kjo gjë nuk ndodhi.

Tentimi i dytë për hapjen e shqyrtimit kryesor u bë më 24 janar 2018, si kryetar i trupit gjykues nuk u paraqitë më gjykatësi Arcadius Sedeck, por gjyqtari Petko Petkov, që fillimisht ishte menduar të jetë anëtar i trupit gjykues.

Trupit gjykues, në përbërje përveç gjykatësin Petkov, kishte edhe gjykatësin vendës Vesel Ismajli dhe gjykatësin tjetër të EULEX-it, Vladimir Mikula.

Sipas Petkovit, deri te kjo përbërje e re e trupit gjykues kishte ardhur pasi bashkë me gjykatësen Nora Bllaca, në kolegjin e mundësisë hetuese të veçantë ishte edhe gjykatësi Mikula.

Mikula që është edhe në listën e gjykatësve të Gjykatës Speciale, ishte një arsye tjetër që palët të mos fillojnë fjalët e tyre hyrëse.

Mbrojtësi i Azem Sylës, avokati Besnik Berisha kishte deklaruar se pasi gjykatësi Mikula është edhe pjesë e gjykatësve të Gjykatës Speciale, nuk është e sigurt pjesëmarrja e tij në këtë rast dhe për këtë kishte kërkuar përjashtimin Mikulës nga trupi gjykues.

Tentimi i tretë i pasuksesshëm për të filluar këtë shqyrtim gjyqësor u bë më 1 shkurt 2018, në atë seancë gjykatësi Petkov njoftoi palët se kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë ka refuzuar kërkesën e avokatit Berisha për të përjashtuar nga trupi gjykues gjykatësin Mikula.

Edhe pse në këtë seancë pa prezencën e të akuzuarës Elhame Ukaës, që u tha se ishte në spital, u vendos që të veçohet procedura penale ndaj Nuhi Ukës, pasi i njëjti është i shtrirë në një Spital në Beograd për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore.

Në këtë seancë, mbrojtësi i Azem Sylës, po ashtu njoftoi trupin gjykues se ai i është drejtuar me një kërkesë KGJK-së që në trupin gjykues të këtij rasti të caktohet një trup gjykues me shumicë shqiptare sepse sipas tij mandati i EULEX-it do të përfundoi në fund të qershorit.

Për shkak të mungesës së të akuzuarës Elhame Uka, gjykatësi Petkov vendosi që të shtyj seancën për 13 shkurt 2018.

Përpos 13 shkurtit, ishin paraparë që shqyrtimet gjyqësore të mbaheshin edhe më 14 e 15 shkurt, por të gjitha këto ishin anuluar.

Shkaku i shtyrjes së këtyre seancave ishte gjendja jo e mirë shëndetësore e Azem Sylës, që sipas gjykatësit Petkov, Syla të martën e 13 janarit, nga qendra e paraburgimit ishte dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në mënyrë që ta merr trajtimin e duhur mjekësor.

Pas të gjitha këtyre përpjekjeve, Petkov kishte caktuar seancat më 20, 21 e 22 shkurt 2018, por në datën e parë ishte vendosur që rasti të delegohet te vendorët.

Ndryshe, ish-deputeti Azem Syla më 12 mars të këtij viti, ishte liruar nga masa e paraburgimit, pasi që ky rast kishte kaluar te vendorët.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur dy aktakuza, njëra me 17 persona dhe tjetra me 22 persona, ku në këtë të fundit përfshihet edhe ish-deputeti i PDK-së Azem Syla, që sipas PSRK-së, ai kishte qenë edhe udhëheqës i këtij grupi.

Bashkë me Sylën akuzohet edhe Shaban Syla, Ilaz Syla, Mexhid Syla, Arton Vila, Fahredin Gashi, Shpresim Uka, Nuhi Uka, Shqipe Maxhuni, Edvard Gashi, Sabedin Haxhiu, Ramadan Uka, Avdyrrhaman Brajshori, Lubisha Vujoviq, Gazmend Gashi, Elhame Uka, Lumnije Sopjani, Nyrtene Brajshori, Sami Maqedonci, Ndue Palushi, Ramadan Mavraj, Mustafë Haliti dhe Hajrullah Berisha

Aktakuza i ngarkon të pandehurit me vepra penale “krim i organizuar”, “pastrim i parave”, “marrje të mitos”, “mashtrim i rëndë”, “mashtrim në detyrë”, “nxjerrje të vendimeve gjyqësore të kundërligjshme”, “keqpërdorim i pozitës zyrtare”, “legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar” dhe “evazion fiskal”.

Gjithashtu, të pandehurit akuzohen se në bashkëpunim, përmes veprimtarive kriminale i kanë privuar Kosovës pronat shoqërore, duke përfshirë falsifikimin e vendimeve dhe dokumenteve zyrtare, mashtrim dhe veprime tjera korruptive.

Hetimet në këtë rast ishin bërë edhe në bashkëpunim me Prokurorinë e Lartë për Krim të Organizuar në Beograd.