Greqia: Zgjedhja e Idrizit, sinjal negativ për bashkëpunimin dypalësh

E publikuar: 22/05/2015 15:24
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Vetëm pak orë pas zgjedhjes së Shpëtim Idrizit të PDIU-së në postin e nënkryetarit të Parlamentit, ka reaguar edhe Athina zyrtare.

Në një komunikatë për shtyp, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme greke, Kosta Kutras, deklaroi se zgjedhja e zotit Idrizi në një prej posteve më të larta në Shqipëri, siç është ai i nënkryetarit të Parlamentit, nuk përcjell sinjale pozitive për bashkëpunimin dypalësh.

Me tone të larta dhe si pak herë ka ndodhur kohët e fundit, Kutras deklaron se zgjedhja e personave me tendenca ektremiste dhe irredentiste, që lidhen me të kaluarën fashiste dhe naziste të Europës, në poste të larta të shtetit, duke nënkuptuar këtu caktimin e Shpëtim Idrizit në postin e nënkryetarit të Parlamentit, nuk prodhon dhe nuk promovon miqësinë, bashkëpunimin dhe stabilitetin e vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe as natyrisht e ndihmon Shqipërinë në rrugën e saj europiane.

Sipas Kutras, pozicionimi i Idrizit dhe pasimi i menjëhershëm i dorëheqjes së Vangjel Dules prej postit të nënkryetarit të Parlamentit dhe largimi i PBDNJ-së prej koalicionit qeverisës, ka zemëruar së tepërmi Athinën, çka ka sjellë një ftohje të marrëdhënieve dypalëshe në një prej pikave të tyre më të këqija të viteve të fundit.

Kjo deklaratë është në vazhdën e përballjeve që dy vendet kanë pasur kohët e fundit, pas anulimit të marrëveshjes së detit, por edhe pas një sërë mosmarrëveshjesh në çështje të ndryshme që prekin marrëdhëniet dypalëshe.

Burime në Ministrinë e Jashtme greke thanë për Top Channel se do të duhet një kohë e gjatë për ngrohjen e marrëdhënieve, pasi të dy palët duket se u qëndrojnë pozicioneve të tyre në mosmarrëveshjet me njëra-tjetrën. Duket se mungesa e përvojës në të dy kampet, por edhe leximi dhe interpretimi i nxituar i deklaratave nga faktorë të ndryshëm në të dy vendet, ka krijuar një situatë jo të mirë në këto marrëdhënie.

Sipas këtyre burimeve, tashmë pritet një lëvizje në nivel të lartë që do të çojë drejt normalizimit të situatës, pasi të dyja palët kanë hyrë në një fazë deklarimesh emocionale që nuk përputhen me klimën e mirë dhe miqësore të dy vendeve tona.

/ Top Channel