Grenell: Pa heqjen e tarifës s’ka zhvillim ekonomik

E publikuar: 01/03/2020 16:00
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

I dërguari i posaçëm i presidentit amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka komentuar kërkesën e liderit të LDK-së, Isa Mustafa, që tarifa ndaj mallrave të Serbisë të hiqet tërësisht, sipas kërkesës së SHBA-së.

Duke komentuar postimin e Mustafës në Twitter, Grenelli ka thënë se heqja e tarifës ndaj këtyre mallrave do të ishte fillim i mirë për më shumë progres.

“Postim shumë i mirë. Isa Mustafa është lider i guximshëm. Heqja e tarifës nesër do të ishte fillim i shkëlqyeshëm për më shumë progres – dhe do të kishte lëvizje të shpejtë. Por zhvillimi ekonomik nuk mund të ecën përpara derisa të mos hiqet tarifa”, ka shkruar Grenelli.

Në postimin e tij, Mustafa ka thënë se ka menduar që nga fillimi se tarifa ndaj mallrave serbe nuk kishte asnjë justifikim ekonomik, por ishte masë mbrojtëse për dështimet, sidomos në politikën e jashtme.

Grenell ditë më parë e kishte cilësuar gabim serioz paralajmërimin e kryeministrit Albin Kurti për heqjen e pjesshme të tarifës.