Grenell nuk do të gjejë zgjidhje të shpejtë për çështjen e Kosovës

E publikuar: 29/10/2019 12:26
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Hulumtuesi në Fondacionin Heritage me seli në Washington, Luke Coffey nuk beson se Richard Grenell do të arrijë që shpejtë të zgjidhë çështjen e Kosovës.

Luke Coffey, hulumtues në Fondacionin Heritage me seli në Washington, i afërt me Republikanët dhe me ndikim te administrata e Donald Trumpit, nuk beson se i dërguari special i SHBA-së për dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, Richard Grenell do të arrijë që shpejtë të zgjidhë çështjen e Kosovës.

Ai po ashtu theksoi se Washingtoni duhet të jetë i kujdesshëm me Serbinë. Coffey, i cili së bashku me ekspertë të tjerë të Fondacionit Heritage i ka drejtuar këshilla Grenellit në lidhje me zgjidhjen e çështjes së Kosovës, ka thënë për “Zërin e Amerikës” se “nuk është reale: që marrëveshja mes Beogradit dhe Prishtinës për normalizimin e raporteve të arrihet deri në fund të pranverës së vitit 2020, transmeton lajmi.net.

“Nëse analizoni gjendjen politike në Kosovë dhe zgjedhjet e ardhshme në Serbi, unë vërtetë nuk shoh mundësi se si deri në fund të pranverës së vitit të ardhshëm mund të arrihet deri te ndonjë marrëveshje e madhe mes Serbisë dhe Kosovës. Shpresoj të mos kem të drejtë, shpresoj se do të kemi një marrëveshje deri atëherë, por nuk janë edhe aq shumë optimist”, deklaroi Coffey.

Ai ka theksuar se çfarë i shkroi në një letër Grenellit dhe shtoi se SHBA duhet të jetë e kujdesshmë me Serbinë sepse nga Beogradi vijnë sinjale shqetësuese.

“Është sikur të keni një polic të mirë dhe një të keq. Presidenti thotë një gjë, kryeministrja diçka tjetër, kryeministrja flet më tepër për publikun evropian. Kjo nuk guxon të na mashtrojë, duhet t’i mbajmë sytë e hapur. Sigurisht se duhet t’i lëmë dyert e hapura për Serbinë që t’i afrohet rrugës euroatlantike por duhet të kemi parasysh edhe lidhjet historike, kulturore dhe religjioze të Serbisë me Rusinë dhe nuk munds të bëhemi sikur ato nuk ekzistojnë”, theksoi ai.

Coffey i cili Grenellin e këshilloi të “mos bëhet kartograf” dhe është kundërshtar i shkëmbimit të territoreve mes Serbisë dhe Kosovës ka thënë se qëndrimi i ish këshilltarit të Trumpit për siguri nacionale, John Bolton se SHBA nuk e kundërshton korrigjimin e kufijve paraqet “ide të keqe”, transmeton lajmi.net.

“Duhet të mendojnë për efektet e kufijve etnik në Evropë. Do ta hapin kutinë e Pandorës jo vetëm në Ballkan por edhe më gjerë. Shumëkush pyetet pse Amerika ka ndërhyrë në marrëveshje të dy shteteve. Për këtë arsye kemi investuar shumë para të taksapaguesve tanë, ushtria ka investuar shumë dhe kemi përgjegjësi për zhvillimin e Kosovës si shtet i pavarur”, theksoi ai.

“Shkëmbimi i disa mijëra hektarëve tokë, në mënyrë që të kënaqen kërkesat politike, mund të ketë ndikime negative në rajon, Evropë, por edhe në sigurinë nacionale të Amerikës”, u shpreh Coffey.

Ai theksoi se “Plani B” është që të dyja palët të qeverisin me territorin e tyre dhe të respektojnë të drejtat e pakicave.

“Ka shumë shtete në Evropë që kanë pakica dhe dëshirojnë t’i mbrojnë dhe nuk i shkelin kufijtë. Ky është shembulli për të cilin e kam paralajmëruar në letrën tonë Grenellin, se duhet të ketë kujdes nga ata që i propozojnë zgjidhje të shpejta dhe të lehta”, përfundoi Coffey.