Grenell: Kosovës dhe Serbisë në tallje u propozova që Ujmanin ta quajmë Liqeni Trump

E publikuar: 10/09/2020 20:56
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

“Konflikt të përceptuar që në njëfarë mënyrë është konflikt” i ka quajtur Richard Grenelli raportet Kosovë-Serbi, që prej luftës në Kosovë e deri me sot.

Grenell, i dërguari i posaçëm i administratës Trump për dialogun Kosovë-Serbi, gjatë intervistës për një radio amerikane po ashtu ka shpalosur detaje të negociatave që kulmuan me Marrëveshjen e Washingtonit, duke pretenduar se mospajtimet Kosovë-Serbi rreth Ujmanit kishin të bënin me emrin e Liqenit.

Ai madje ka bërë të ditur se “në tallje” kishte propozuar që Liqeni i Ujmanit të quhet Liqeni Trump.

“Ky konflikt i përceptuar që në njëfarë mënyre është konflikt gjatë 21 viteve të kaluara… Kemi qenë të ngujuar për 21 vjet duke u munduar t’i bindim ata të pajtohen për fjalë dhe fraza”, ka thënë ai në fillim të intervistës.

Më vonë ai është munduar që audienës amerikane këtë gjë t’ia ilustrojë me shembuj.

“Është një liqen atje, mbase nuk duhet ta përmend këtë pasi që dikush në Kosovë apo Serbi mund të zemërohet. Pjesa më e madhe e liqenit është në Kosovë, një pjesë e vogël është në Serbi. Teksa po mundoheshim ta gjejmë zgjidhjen se si t’i çojmë këto dy shtete drejt bahskëpunimit ekonomik, një prej gjërave që menduam është të gjejmë mënyra rreth liqenit, ka mënyra për krijimin e vendeve të punës përmes projekteve energjetike”, ka thënë ai, duke e vazhduar se ku, sipas mendimit të tij, kishin ngecur gjërat.

Teksa, si ka vazhduar ai, SHBA-ja po i shtyente dy palët “drejt këtij momenti ekonomik, ato përplaseshin se si duhet quajtur liqenin”.

“Shkaku është se kosovarët thonin se duhet të quhet ashtu si e quanin ata, e serbët sipas emrit të tyre. E unë propozova të quhet sipas emërimit të Kosovës/ Serbisë. Kështu i zemërova dyja palët”, ka thënë ai.

Ai ka vlerësuar se negociatat në Washington ishin të zorshme.

“Vazhduam ta quanim me dy emrat dhe askujt nuk i pëlqente. Ky lloj lufte rreth fjalëve, simbolikës është, si iu thashë liderëve të dy liderëve: Kjo nuk u jep njerëzve mundësi t’i paguajnë kreditë, nuk u siguron ushqim. Nëse vazhdoni të luftoni për simbolikë, mbiemra, folje, emra, nuk do të shkojmë askund. Lini anash këto gjëra dhe vazhdojmë me ekonominë. Më në fund e lanë, por unë, në tallje u thashë: Nëse s’pajtoheni rreth emrit, mund ta quajmë Liqeni Trump”, ka thënë ai.