Gratë kërkojnë “pjesëmarrje kuptimplotë në dialog”

E publikuar: 19/06/2020 22:29
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

“Gratë në Kosovë nuk janë spektatore pasive apo vetëm viktima apo shënjestra”.

Anëtarët e Grupit për Siguri dhe Barazi Gjinore, kërkojnë që të sigurohet pjesëmarrje kuptimplotë e grave në delegacionin e Prishtinës, që merr pjesë në dialogun Prishtinë-Beograd për normalizim të marrëdhënieve, si dhe në grupet punuese të krijuara për të informuar dialogun, njofton Insajderi.

Ky grup nëpërmjet një komunikate, thotë se që nga miratimi i Rezolutës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara 1325, komuniteti ndërkombëtar ka punuar në ngritjen e ndërgjegjësimit për mungesën e përfaqësimit të grave në përpjekjet globale për sigurim të paqes, duke u zotuar dhe duke u bërë thirrje të tjerëve për përfshirjen e grave në arritjen e paqes.

Mungesa e përfaqësimit të grave është edhe arsyeja pse Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka prioritizuar pjesëmarrjen e plotë dhe të barabartë të grave në proceset e paqes në Rezolutën 1325 (2000) si dhe në rezolutat pasuese.

“Fatkeqësisht, këto thirrje nuk kanë marrë përgjigje të pritura nga qeveritë, siç edhe është rasti me dialogun Prishtinë-Beograd për normalizimin e marrëdhënieve i cili deri më tani ka mbetur një proces i ‘verbër’ ndaj barazisë gjinore”, thuhet në njoftimin e Grupit për Siguri dhe Barazi Gjinore.

“Gratë në Kosovë nuk janë spektatore pasive apo vetëm viktima apo shënjestra. Historikisht kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë rolin e agjenteve aktive në proceset e ndërtimit të paqes, politikë-bërjes dhe rimëkëmbjes”.

“Ne kërkojmë nga institucionet e Kosovës që menjëherë t’i ndërmarrin hapat e nevojshëm dhe të sigurojnë pjesëmarrjen kuptimplotë të grave në dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit”./Insajderi.com