Grabitësi i njohur si “daja” nga Kosova, ndërron jetë

E publikuar: 09/06/2020 10:30
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ndërron jetë në Spitalin e Traumës në Tiranë, Ragip Hajdini, i njohur si “daja” nga Kosova, i cili ishte arrestuar për grabitjen në aeroportin e Rinasit.

50 vjeçari vuante nga një sëmundje e rëndë.

Ragip Hajdini nga Peja ishte njëri nga gjashtë të arrestuarit për këtë grabitje, po ashtu kishte të kaluar kriminale.

Arrestimi i tij erdhi pas dëshmisë së dëshmitarit të drejtësisë, Alkond Bengasi, që tha se “daja” nga Kosova ishte një person tullac, të cilin e kishte takuar disa herë me Admir Muratajn.

Hajdini rezulton me precedentë të ngjashëm penalë edhe në Kosovë, aty ku ka qenë i dyshuar për grabitjen e 25 kilogrami ar nga Dhoma e Dëshmive në Policinë e Pejës, bashkë me pesë persona të tjerë.

Grabitja ndodhi në orën 15:00 më 9 prill 2019 brenda në pistën e aeroportit të Rinasit. Pas grabitjes policia u vu në ndjekje të fugonit me mbishkrimin “Hetim Tatimor” që u përdor për grabitjen nga autorët, aty ku më pas nga shkëmbimi me armë mbeti i vrarë Admir Murataj.

Për grabitjen në Rinas, u arrestuan ndër të tjera Alkond Bengasi, Renaldo Sula, Oltian Veseli, Saimir Çela, Elton Pikli dhe Ragip Hajdini.