Google sugjeron përdoruesve të telefonëve Android në Evropë shfletues dhe motorë kërkimi alternativë

E publikuar: 18/04/2019 17:36
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Përdoruesit e telefonëve Android do të kenë shansin të zgjedhin cilin shfletues dhe motor kërkimi duan të përdorin në mesin e pesë opsioneve duke filluar nga dita e Enjte, tha një ekzekutiv i lartë i Google.

Kjo lëvizje vjen për të adresuar shqetësimet e autoriteteve Evropian në lidhje me monopolin Android dhe motorin e kërkimit Google.

Goditur me një gjobë rekord prej 4.34 miliardë eurosh vitin e kaluar për përdorimin e fuqisë së tregut për të bllokuar rivalët si në kërkimin në internet, Google u detyrua të sillte një propozim të ri sesi do tu jepte rivalëve shanse të barabarta.

Android

Komisioni Evropian tha se Google kishte një avantazh të padrejtë duke “para-instaluar” shfletuesin Chrome dhe aplikacionin e kërkimit Google Search në telefonët dhe tabletët Android.

Muajin e kaluar kompania tha se do të lejonte përdoruesit Android në Evropë të zgjedhin vetë shfletuesin dhe motorin e kërkimit të duan.

Përdoruesit Android në Evropë kur hapin dyqanin e aplikacioneve Google Play tashmë do të shohin opsione të reja për të shkarkuar aplikacione të tjera kërkimi dhe shfletimi.

Android

Pesë aplikacionet e kësaj liste janë përzgjedhur në bazë të popullaritetit të tyre dhe do të listohen në mënyrë të rastësishme. Ato do të shfaqen tek telefonët ekzistues dhe të rinj që blihen në Evropë.

Nëse Google nuk i përmbahet kritereve të Komisionit Evropian rrezikon të gjobitet me 5% të të ardhurave globale.

Shfletuesit janë: Google Chrome, Firefox, Microsoft Edge, Opera Browser dhe Puffin Web Browser. Motorët e kërkimit janë: Google Search, Qwant, DuckDuck Go, Ecosia dhe Seznam.cz. /PCWorld Albanian