Google sfidon Amazon për blerjet online

E publikuar: 23/03/2018 21:53
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Analistët gjykojnë se Google po i shpall konkurrencë Amazon për blerjet online duke lançuar programin e ri të quajtur Shopping Actions i cili lejon përdoruesit të blejnë produkte online nëpërmjet Asistentit të Google dhe reklamave në kërkimet.

Në kërkimet Google, Asistentin Google dhe shërbimin Google Express, të gjithë përdoruesit mund të ruajnë mënyrat e pagesës me kredenciale dhe të bëjnë blerje online.

Në këmbim, Google do të përfitojë një komision nga çdo blerje e bërë. Në këtë mënyrë, ju mund të bëni blerje nga portale të ndryshme, ti ruani ato në Google Express dhe me anë të një procesi të thjeshtë realizohet blerja.

Deri tani, kompani të ndryshme si Target, Walmart, Home Depot, Costco Wholesale etj kanë rënë dakord për të marrë pjesë në programin e ri i cili është i hapur për të gjithë distributorët amerikanë.

Çdo gjë nisi pasi Google kishte analizuar se shumë përdorues pyesnin ku mund të blinin produkte të ndryshme. Ky trend sa vjen edhe rritet, madje përdoruesit kërkojnë në Google për produktin dhe më pas përfundojnë duke e blerë atë në Amazon.

Sipas përfaqësuesve të Google, ata e shohin këtë opsion si një mundësi për distributorët në përmirësimin e shërbimeve dhe transaksioneve të tyre. /PCWorld Albanian