Google provon përsëri, prezanton tabletin Chrome OS Pixel Slate

E publikuar: 10/10/2018 12:19
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Google ka vendosur ta provojë edhe njëherë shansin në botën e tabletëve duke prezantuar një rival të iPad Pro dhe Surface Pro.


Pixel Slate është një tablet Chrome OS me tastierë që mund të vendoset duke e shndërruar në një laptop.

Ai vjen me një harduer të fuqishëm si procesorët e gjeneratës së 8-të Intel Core i7, 16GB RAM dhe 256GB memorie.


Tablet ka dy altoparlantë ballorë stereo, kamër frontale dhe të pasme 8-megapiksel dhe ekran 12.3-inç që Google thotë se është më i shpejt sesa një ekran LCD tradicional.

Në butonin e ndezjes gjendet një skaner i shenjave të gishtërinjve dhe është i pari për një Chromebook.

Ndërsa tableti do të shitet më vete, ai është ndërtuar në atë mënyrë që të përdoret me tastierën që Google e quan Pixel Slate Keyboard.

Tastiera ka butonë elegantë të rrumbullakët dhe me dritë të pasme. Tableti gjithashtu mbështet lapsin Stylus të vitit të kaluar Pixelbook Pen.

Pixel Slate del në shitje për 599 dollarë me procesorë Intel Celeron por mund të shkojë deri në 1,599 dollarë për procesorët më të fuqishëm.

Tastiera do të shitet më vete për 199 dollarë ndërsa lapsi mbetet 99 dollarë. /PCWorld Albanian