Google investon 22 milion dollarë në sistemin operativ të telefonëve të thjeshtë Nokia

E publikuar: 03/07/2018 02:39
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Google do të investojë 22 milion dollarë në KaiOS, sistemin operativ të përdorur në telefonët e thjeshtë Nokia i cili është ngritur nga “rrënojat” e Firefox OS.

Gjiganti i motorit të kërkimit sundon në botën e telefonëve inteligjentë me Android, megjithatë KaiOS gradualisht po shfaqet si një zgjidhje shumë popullore për telefonët e thjeshtë veçanërisht në tregjet në zhvillim.

KaiOS nisi rrugëtimin vitin e kaluar si një version i Firefox OS dhe mund ta gjeni tek telefonët Nokia si Nokia 8110.

Pajisjet nga TCL dhe Micromax kanë të instaluar KaiOS.

Në pamje të parë investimi i Google duket i kotë nisur nga dominimi i Android dhe Android GO, por në të vërtetë është një lëvizje strategjike.

Google në bashkëpunim me KaiOS do të sjellin Google Assistant, Google Maps, Youtube, dhe Google Search në sistemin operativ.

Sipas TechCrunch janë shitur të paktën 40 milion telefonë me KaiOS deri më sot. /PCWorld Albanian