Goditja e rëndë e Time për Haradinajn për shkak të Speciales- Qeveria s’ka koment

E publikuar: 30/01/2018 22:36
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Revista prestigjioze Time në një shkrim të publikuar sot ka renditur kryeministrin Ramush Haradinaj në mesin e pesë personave të arratisur më të kërkuar në botë. Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj renditet përkrah Carles Puigdemonit të Katalonjës, Fethullah Gulenit të Turqisë, Julian Assanget dhe Mikheil Saakashvilit.
Gazeta Express për ketë çështje ka kërkuar një përgjigje nga Qeveria e Kosovës.

Shefi i kabinetit të kryeministrit të Kosovës, Avni Arifi, ka bërë me dije se për momentin nuk kanë ndonjë koment.

Ai thotë se s’kanë asnjë vlerësim për raportimin që ka bërë Time.

“Nuk kemi ndonjë vlerësim për këtë raportim”, ka thënë ai për Express.

Në artikullin e Revista prestigjioze Time thuhet se Haradinaj bëri emër gjatë konflikteve të viteve ’90 në Kosovë.

Në këtë artikull prestigjiozja amerikane tregon se tani kryeministri i Kosovës ishte komandat i UÇK’së, i akuzuar për torturë dhe vrasje të serbëve, i cili në mungesë të provave ishte shpallur i pafajshëm nga Tribunali i Hagës gjatë viteve 2008 e 2012.

“Kjo nuk është e mjaftueshme për Serbinë, e cila refuzon të njohë Kosovën si shtet të pavarur dhe dëshiron që Haradinaj të ekstradohet për t’u përballur me drejtësinë e saj”, ka shkruar “Time”.

“Nuk është vetëm Serbia nga e cila Haradinaj po përballet me sfida. Me urdhër të aleatëve perëndimor dhe të ndihmuar nga BE’ja, parlamenti i Kosovës në vitin 2015 u pajtua që të krijonte një gjykatë speciale për krime të luftës me bazë në Holandë, por do të operonte nën juridiksionin e Kosovës. Kjo lëvizje u konsiderua si instrumentale në stabilizimin e gjeopolitikës në Ballkan. Vetëm tani ka paralajmërime për shfuqizimin e saj [Speciales], Haradinaj dhe elita politike e Kosovës është duke shikuar për mundësitë e shmangies së kësaj Gjykate”, ka shkruar “Time”./Gazeta Express/.