Godfrey: Ne po investojmë shumë energji politike në marrëveshjen Kosovë-Serbi

E publikuar: 25/01/2020 15:24
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ambasadori amerikan në Beograd, Anthony Godfrey, shpreson se dialogu Kosovë-Serbi do të fillojë shumë shpejt.

“Sipas mendimit tim, është e dëmshme të humbet e gjithë kjo kohë. Shpresojmë se [dialogu] do të shkojë më shpejt”, tha Godfrey.

Ambasadori amerikan, siç raporton FoNet, ka përkujtuar se “Presidenti Trump e ka bërë të qartë se ai dëshiron që kjo [dialogu] të jetë prioritet për Shtetet e Bashkuara dhe kjo është arsyeja pse ai e ka emëruar Ambasadorin Richard Grenell të dërguarin e tij të posaçëm dhe ne gjithashtu kemi një të dërguar special për pjesën tjetër të Ballkanit, Mattheë Palmer”, përcjell Telegrafi.

“Ka shumë energji politike, të cilën SHBA-të po e investojnë për këtë çështje. Ne duam të shohim që njerëzit në rajon ta kuptojnë dhe shohin që përmes interesit të tyre ekonomik ky problem mund të zgjidhet”, tha Godfrey.

Deklarata e ambasadorit Godfrey vjen pas vizitës që i bëri Kosovës dhe Serbisë, emisari i presidentit Trump, Richard Grenell, ku ai ua bëri të qartë udhëheqësve shtetërorë e politikë të dy vendeve se SHBA-ja kërkon normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Grenell, në Prishtinë tha e SHBA është e interesuar që të shohë zhvillim ekonimik të Kosovës, e në këtë aspekt kërkoi që të hiqet takasa ndaj mallrave serbe. Ndërsa, në Beograd tha se kërkon nga udhëheqësit shtetërorë serbë që të ndalojnë fushatën kundër njohjeve të Kosovës.

Njëkohësisht, Prishtinës dhe Beogradit ua bëri me dije se duhet të përshpejtojnë me procesin e bisedimeve për arritjen e marrëveshjes përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë.