GLPS: Rritet interesimi i qytetarëve për të migruar, 48.4 % e të anketuarve të gatshëm të lënë Kosovën

E publikuar: 23/12/2020 13:19
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Grupi për Studime Juridike dhe Politike ka publikuar të dhënat nga anketa ku është ndërtuar profili i migrantit potencial, ku po ashtu thuhet se pasojat e pandemisë mund të kenë nxitur një rritje të gatishmërisë për të migruar.

Sipas të dhënave, 48.4 % e të anketuarve janë të gatshëm të migrojnë, kurse gatishmëria për të migruar është rritur me 23% dhe 30% në vitin 2020, krahasuar me 2015 dhe 2019, respektivisht.
“Në kuptim më pozitiv, duket se gatishmëria e lartë për të migruar nuk po përkthehet në migracion të paligjshëm pasi statistikat e EUROSTAT sugjerojnë se numri i azilkërkuesve/kërkesave në BE dhe vendet e tjera të Shengenit është ulur ndjeshëm në 2019. Statistikat e EUROSTAT sugjerojnë që numri i azilkërkuesve / kërkesave në BE dhe vendet e tjera të Shengenit ka rënë ndjeshëm në 2019 krahasuar me 2015, nga 73,240 kërkesa në 2015 në 2,355 në 2019”, thuhet në komunikatën e GLSP-së.

Po ashtu thuhet se 60% e atyre që dëshirojnë të migrojnë do të konsideronin migrimin e përhershëm, si në 2019 dhe 2020.

“Meqenëse rritja e gatishmërisë për të migruar është veçanërisht më e theksuar në qershor 2020 pas shfaqjes së COVID-19, sugjeron që pasojat e pandemisë mund të kenë nxitur një rritje të gatishmërisë për të migruar. Më shumë se 60% e atyre që dëshirojnë të migrojnë do të konsideronin migrimin e përhershëm, si në 2019 dhe 2020”, thuhet në komunikatë.

Rezultatet e fundit qershor 2020 sugjerojnë që arsyet kryesore pse individët janë të gatshëm të migrojnë mbeten pak a shumë të njëjtat. Një nga arsyet më të listuara që do t’i shtynte individët të migrojnë është mungesa e shpresës se gjendja ekonomike, politike dhe shoqërore do të përmirësohet.

“Në mënyrë të ngjashme, shumica e të anketuarve që janë të gatshëm të migrojnë fajësojnë qeverinë dhe partitë politike për gatishmërinë e tyre për të migruar edhe në vitin 2020, duke portretizuar qartë dështimin e institucioneve publike dhe elitave politike për të përmbushur pritjet e qytetarëve dhe adresuar shqetësimet e tyre”, transmeton Telegrafi.

Ndryshe, nga anketat e mëparshme, tre arsyet kryesore që do të bindnin individët të mos migronin janë mundësitë më të mira të punësimit dhe pagat më dinjitoze, stabiliteti politik dhe përmirësimi i situatës ekonomike.

“Të dhënat sugjerojnë se gatishmëria për të migruar është më e lartë në mesin e familjeve që raportojnë të kenë pranuar remitenca. Gatishmëria për të migruar rezulton të jetë pak më e lartë në mesin e burrave krahasuar me gratë, megjithëse shkalla e papunësisë raportohet dukshëm të jetë më e lartë në mesin e grave dhe po kështu edhe shkalla e varfërisë. Vlen të përmendet se krahasuar me anketat e vitit 2015 (36.1%) dhe 2019 (38.3%), rezultatet e vitit 2020 portretizojnë një rritje të gatishmërisë për të migruar në mesin e grave”, thuhet në komunikatë.

Të dhënat e bazuara në grupmoshat e të anketuarve sugjerojnë se gatishmëria për të migruar mbetet më e lartë në mesin e moshave më të reja të popullsisë edhe në vitin 2020.

Po ashtu përmes komunikatës është bërë e ditur se qytetarët me gatishmëri më të lartë për të migruar i përkasin etnisë shqiptare dhe grupeve të tjera etnike, me numrin më të ulët brenda komunitetit serb.

“Ngjashëm me valët e tjera të studimit, banorët urban janë më të gatshëm të migrojnë. Duke gërmuar më thellë, të dhënat e bazuara në rajon sugjerojnë se gatishmëria për të migruar është më e larta në mesin e të anketuarve nga Prishtina (56%). Duhet të theksohet se është shqetësues fakti se gatishmëria për të migruar në mesin e të anketuarve nga Peja, Gjilani dhe Ferizaj është dyfishuar në vitin 2020 në krahasim me vitin 2015 ndërsa në Prishtinë është rritur me mbi 25%”, thuhet në komunikatë.