GLPS për Raportin për Kosovën: BE-ja kërkesat e njëjta, perspektiva evropiane po përdoret për politika ditore

E publikuar: 29/05/2019 19:17
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Grupi për Studime Juridike dhe Politike ka vlerësuar se kërkesat e Bashkimit Evropian për Kosovën ngelen të njëjta.

Reagimi i kësaj OJQ-je vjen pas publikimit të Raportit të Komisionit Evropian për Kosovën, për të cilin thanë se ka konfirmuar se institucionet e Kosovës kanë humbur betejën për ta mbajtur agjendën evropiane të gjallë, dhe që perspektivën evropiane e kanë shndërruar në mjet për të menaxhuar politikën ditore.

“Kjo, përveçse reflekton paaftësinë e institucioneve të Kosovës që me përgjegjshmëri të adresojnë çështjet e viteve të kaluara, është sinjal që Kosova, përkundër vullnetit të popullit të saj, çdo ditë e më shumë është duke u larguar nga objektivi i saj themelor, anëtarësimi në BE. Pikat në vijim janë tregues i së vërtetës që raporti shpërfaq” thuhet ne reagimin e GSJP-së.

Gjithashtu përmenden gjetjet e këtij raporti lidhur me mbingarkesën e qeverisë me zëvendësministra, marrjen e vendimeve ad-hoc nga ana e qeverise, mungesën e funksionimit të plotë të kuvendit si dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Natyrisht, këto elemente shfaqin modelin kundër-institucional të veprimit të Qeverisë së Kosovës, si dhe janë tregues i praktikës së imponimit të vullnetit të individit përballë planeve dhe objektivave shtetërore”.

“Kuvendi nuk ka arritur që të adresojë çështjet e rëndësishme për Kosovën në rrugë e saj drejt BE-së, kurse mungesa e funksionimit të tij të plotë është shndërruar në pengesë për demokracinë në Kosovë”.

“Çfarë është më e rëndësishme, Raporti rikonfirmon që gjyqësori dhe prokuroria mbesin të ndikuar nga politika dhe që Kosova mbetet në faza të hershme të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Përkundrejt përpjekjeve të institucioneve ndërkombëtare, Raporti konfirmon që sistemi i drejtësisë mbetet në fazë elementare të zhvillimit dhe që mundësia e tyre për të qenë efektivë në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit mbetet e vogël”.

Grupi për Studime Juridike dhe Politike fton Kryeministrin Haradinaj, Kryetarin e Kuvendit Veseli, Presidentin Thaçi, kryesuesit e Këshillit Prokurorial dhe atij Gjyqësorë, dhe ministrat e qeverisë, Kryeprokurorin e Shtetit, që të japin përgjegjësi përball qytetarëve të Kosovës për këto dështime. Kjo mbetet mënyra e vetme se si Kosova mund të vazhdojë, pandalshëm, rrugën e saj drejt BE-së.