GLPS dhe ÇOHU: Vetingut në sistemin e drejtësisë mund ta kthejë besimin e qytetarëve

E publikuar: 11/12/2019 14:47
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në kuadër të Javës Kundër Korrupsionit, organizatat GLPS dhe ÇOHU kanë organizuar tryezën me temën “Reforma në sistemin e drejtësisë në Kosovë: Drejtësia 2020 dhe procesi i rishikimit funksional të drejtësisë”, në të cilën u tha se qytetarët e Kosovës ballafaqohen me një sistem joefikas të drejtësisë

Aty u vlerësua se përmes procesit të vetingut mund të kthehet besimi i qytetarëve tek institucionet e drejtësisë në Kosovës

Alison Storsve, zëvendësdrejtoreshë e Zyrës për Politika dhe Ekonomi në Ambasadën e SHBA-së, tha se rishikimi funksional në sistemin e drejtësisë është agjendë përmes të cilës do të dalin me rekomandime dhe strategji.

Ajo kërkoi që reforma në sektorin e drejtësisë të përkrahet edhe nga qeveria e ardhshme e Kosovës dhe se në këtë sektor duhet të ketë reforma të merituara që janë në përputhje me vendet anëtare të Bashkimit Evropian.

Hulumtuesja e organizatës Çohu, Rina Koliqi, tha se si sfidë kryesore sipas të gjeturave të kësaj organizate mbetet niveli i lartë i korrupsionit, për çka u kërkua që qeveria ta ketë prioritet luftimin e kësaj dukurie negative.

Sekretari i Ministrisë së Drejtësisë,  Qemajl Marmullakaj, tha se rishikimi funksional i sistemit të drejtësisë i cili u riniciua në vitin 2018 synon që të ngritë besimin e qytetarëve ndaj këtij sektori duke krijuar një sistem të konsoliduar të sundimit të ligjit.

Sipas tij kjo reformë është ndarë në tri faza të zhvillimit të saj me qëllim procesi të jetë gjithëpërfshirës.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu pati kritika ndaj Ministrisë së Drejtësisë që në procesin e rishikimit funksional të sistemit të drejtësisë nuk kanë qenë edhe deputetë e komisionit për legjislacion dhe Kuvendi i Kosovës.

Derisa i ka paraqitur disa nga prioritet e qeveria së ardhshme, e cila ende nuk është krijuar, Haxhiu tha se kjo qeveri synon që të gjitha punët që janë bërë në Ministrinë e Drejtësisë të hidhen poshtë, por që ato do t’i analizojnë në bashkëpunim me shoqërinë civile dhe përfaqësuesit e institucioneve.

Ajo përmendi se ndër prioritet kryesore të qeverisë së ardhshme do të jetë sjellja e vettingut në drejtësi, i cili duhet të zhvillohet pa përfshirjen e partive politike.

Java kundër korrupsionit 2019 ka nisur ditën e hënë dhe vazhdon deri më 13 dhjetor. Në kuadër të kësaj jave trajtohen çështje që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit në qeverisje, prokurim publik, shëndetësi e arsim, teksa fokusi kryesor do të jenë sinjalizuesit, mbrojtja e tyre dhe ligji për sinjalizuesit, i cili është miratuar këtë vit.