Gladbachu vlerëson Xhakën 30 milionë euro

E publikuar: 21/03/2015 12:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Skuadrat që duan të transferojnë mesfushorin kosovar Granit Xhaka në fund të këtij edicioni, atëherë duhet t’i paguajnë Borussia Moenchengladbachut 30 milionë euro dëmshpërblim. Gazeta gjermane “Bild” të premten ka njoftuar se drejtuesit e Moenchengladbachut i kanë vendosur Xhakës në kontratë klauzolën e lirimit, pasi po frikësohen që ai mund të largohet gjatë kësaj vere.

Xhaka, 22-vjeçar, këtë edicion është shndërruar në njërin prej lojtarëve kryesorë te skuadra gjermane. Ai së fundi ka rinovuar kontratën deri në qershor të vitit 2019 dhe më herët pati deklaruar se synimet janë që të fitojë ndonjë trofe me Gladbachun.

“Xhaka ka një klauzolë lirimi prej 30 milionë eurove, pasi konsiderohet i pashitshëm te Gladbachu. Drejtuesit e klubit kanë vendosur këtë klauzolë pas interesimit të skuadrave të mëdha për Xhakën, në mesin e tyre edhe Bayern Muencheni”, ka shkruar gazeta gjermane.

Xhaka është reprezentues i rregullt i Përfaqësueses së Zvicrës dhe te Gladbachu qe transferuar në verën e vitit 2012 nga skuadra e Baselit. Për shërbimet e tij Gladbachu pati paguar 8.5 milionë euro, duke e bërë Xhakën futbollistin më të shtrenjtë te kjo skuadër.

Mesfushori kosovar këtë edicion është stabilizuar në Bundesligë pas dy stinorëve me shumë probleme. Këtë stinor ka shënuar dy gola në 21 paraqitje kampionale. Ai ka edhe tri gola në nëntë ndeshje në Ligën e Evropës, ku Gladbachu u eliminua në 1/16 e finales.

“Natyrisht Bayern Muencheni për mua është një klub shumë i madh dhe i respektuar. Por mendja ime është vetëm te Borussia Moenchengladbachu, pasi këtu po ndihem mirë dhe i lumtur”, ka deklaruar Xhaka, që më herët është kërkuar me ngulm nga skuadrat italiane si Inter, Milan e Lazio.