Gjysmëvjetori mund të përfundojë para kohe

E publikuar: 30/11/2020 20:40
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Këtë vit ka gjasë të nisin më herët pushimet dimërore në arsimin parauniversitar.

Në fakt, sipas kalendarit të vitit shkollor 2020-2021, nxënësit duhet ta përmbyllin shkuarjen në shkollë më 24 dhjetor për gjysmëvjetorin e parë, për t’u kthyer me 8 janar në gjysmëvjetorin e dytë.

Megjithatë, duket se këto data do të ndryshojnë. Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, sot kërkoi që t’u jepet një afat mësuesve për notimin e nxënësve, e pastaj shkollat të shkojnë në pushim.

Ndërkaq, Liridon Maliqi, drejtor në shkollën “Qamil Batalli” në kryeqytet, që një javë më parë bëri një propozim të ngjashëm për pushimet dimërore, po shpreson që deklarata e Zemajt të realizohet.

Sipas tij, mësimi që aktualisht po e mbajnë me orë të përgjysmuara e planprogram të kompresuar, është jo efektiv.

Këshilli i prindërve të Kosovës ende nuk ka ndonjë qëndrim rreth kësaj çështjeje. Ymret Reshiti që kryeson këtë organ tha se këto ditë do të konsultohen me këshillat e prindërve nëpër komuna, e më pas do të dalin me deklaratë,transmeton KlanKosova.

Qëndrim për shkurtimin ose jo të gjysmëvjetorit të parë nuk dhanë as në Ministrinë e Arsimit. Megjithatë, Klan Kosova merr vesh se nesër pritet që ky institucion të dalë me një komunikatë për kërkesën e ministrit Zemaj.