Gjyqtari i pandershëm dhe vëllezërit e tij Karamazov

E publikuar: 01/11/2016 11:38
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nga Hemion Braho

Ndëshkimi brutal dhe në mënyrë kolektive i një gjyqtari, i cili u kap në një regjistrim audio teksa kërkonte favore seksuale është dëshmi e asaj që nuk duhet të bëjë një shoqëri, shkruan Braho. Në masivizimin e emocioneve, në histerinë kolektive dhe epshin e përbashkët për gjak, të gjithë harruam mënyrën si jetojmë, hallet e përditshme dhe ato fajet tona të vogla u pastruan përballë gjyqit publik.

“Vëllezërit Karamazov” është romani i fundit i shkruar nga Fyodor Dostojevski. Romani është i njohur për shumë aspekte, por mbi të gjitha për një proces gjyqësor që zhvillohet, ku një person dënohet padrejtësisht për vrasjen e babait, që realisht e kishte kryer vëllai i tij. Pavarësisht se ai e dinte këtë, e pranon fajin sipas arsyetimit që “secili prej nesh është fajtor në këtë botë për gjithçka e për të gjithë; kjo padyshim, jo vetëm për fajin e përbashkët në origjinë, por secili prej nesh individualisht për të gjithë njerëzit dhe për çdo njeri mbi tokë”. Me sa duket, në çështjet që lidhen me drejtësinë e gjykatave shpeshherë ndodhin padrejtësi të mëdha, ose themi ne jemi më të ndjeshëm ose më të prekur nga faktet që zhvillohen aty. Rasti më i fundit na erdhi nga jugu e pikërisht nga Gjirokastra, ku u mblodhën së bashku në një rast të vetëm intriga nga më të ndryshmet, në thelb seks, para dhe pushtet. Të gjithë u indinjuam, të gjithë u frikësuam dhe, në një katharsis kolektiv, të gjithë u identifikuam me gruan viktimë dhe të viktimizuar, duke shpresuar që të mos na bjerë rruga në ndonjë nga gjykatat tona. Me siguri, në trurin tonë kaluan mendime të tipit “po sikur të ishte motra apo nëna ime ajo grua?”; “Si do të sillesha unë në një rast të tillë?”. Me telekomandën në dorë, apo pas faqes së një gazete, ose duke dëgjuar radion në makinë, të gjithë do të dëshironim hakmarrje, apo në rastin më të mirë do mëshironim gjykatësin, që në këtë rast, ishte edhe kryetar gjykate.

Gjyqtarit të pafat dhe fajtor, nuk i vjen në ndihmë as shoqëria, as politika dhe as ligji. Shokët dhe kolegët e tij nuk i shkuan në dasmën e gocës, ministri e shkarkoi dhe ligji fatkeqësisht nuk e mbron shumë të drejtën e privatësisë kur je duke ushtruar një funksion publik. Një avokat i mirë mund të kapet te të drejtat e njeriut dhe koncepti i dinjitetit, por kush e vret shumë mendjen kur na e keni prurë në majë të hundës me këto padrejtësi të mëdha në sistemin e drejtësisë.

Ndëshkimi ishte kolektiv dhe i gjithanshëm, tamam si në diktaturë, sepse në fund të fundit duhen disa shembuj që njerëzit të venë mend. Ky gjykim dhe ky vendim vjen edhe sepse shumë pak nga ne kanë lexuar vëllezërit Karamazov, duke e patur shumë të vështirë të identifikoheshin me gjyqtarin predator, dhe shumë pak nga ne janë ndjerë bashkëfajtor. Në masivizimin e emocioneve, në histerinë kolektive dhe epshin e përbashkët për gjak, të gjithë harruam mënyrën si jetojmë, hallet e përditshme dhe ato fajet tona të vogla u pastruan përballë gjyqit publik të një fajtori me prova të plota. Bisedat e qarta, sjellja amatoreske, kërcënimet kriminale të këtij njeriu ishin një shkëndijë që të lejonte të merrje zjarr kollaj. Fiks si një fjalë veriu e quajtur Mazë ku qumështi pasi zien lëshon komplet yndyrën në sipërfaqe, kështu edhe ne vëllezërit Karamazov nxorëm mazën tonë, duke harruar realitetin dhe çfarë jemi në të vërtetë.

Sa për dijeni, në romanin e Dostojevskit, fajtori i vërtetë vret veten, kurse vëllai i ndëshkuar padrejtësisht, gjen vetveten pikërisht nëpërmjet funksionit të ligjit që sado i padrejtë e kryen misionin e tij edhe në atë rast./mapo.al/

*Pedagog UET