Gjyqi ndaj kardinalit Pell, i akuzuar për abuzim seksual

E publikuar: 07/03/2018 08:16
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Drejtori i Thesarit i Vatikanit, kardinali George Pell u paraqit të martën në një gjykatë australiane në ditën e dytë të një seance para-gjyqësore, e parashikuar të zgjasë katër javë, lidhur me akuza për abuzim seksual.

76-vjeçari, një këshilltar i lartë i Papa Françeskut është deklaruar i pafajshëm në të shkuarën për abuzim seksual të disa njerëzve në Australi.

Disa prej viktimave të dyshuara të kardinalit Pell dëshmuan gjatë seancës dëgjimore të së hënës, por identitetet e tyre nuk u bënë publike.

Ndaj kardinalit Pell nuk do të zhvillohet një gjykim i plotë derisa një gjyqtar të vendosë nëse prokurorët kanë prova të mjaftueshme.

Papa Françesku tha se nuk do të komentojë mbi çështjen deri në përfundim të saj.