Gjykimi ndaj Ilir Tolajt dhe të tjerëve, transportuesi thotë se kamioni i tij ishte stërmbushur me barna pa afat

E publikuar: 10/05/2018 21:46
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Dëshmitari Isa Kadriu, i cili për disa muaj kishte bërë transportimin e barnave me afat në skaduar në depon që ndodhet në fshatin Mazgit, ka dhënë dëshminë e tij, të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin ndaj ish-sekretarit në Ministrinë e Shëndetësisë, Ilir Tolaj dhe zyrtarëve të tjerë të akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Dëshmitari Kadriu, si dhe dy dëshmitarët paraprak Ilmi Dragusha dhe Atdhedon Podvorica, janë ftuar nga ana e mbrojtjes për të dëshmuar lidhur me akuzën ndaj të pandehurave Valentina Haxhijaj, Remzije Thaçi dhe Florije Tahiri, të cilat sipas Prokurorisë, si anëtare në Komisionin e Mbikëqyrjes së Ekzekutimit, i kishin mundësuar kompanisë “KMI” të bënte manipulim me sasinë e barërave që ishin për asgjësim.

Dëshmitari Kadriu, ka thënë se në muajin tetor dhe nëntor të vitit 2011, kishte punuar si transportues me kamionin e tij për kompaninë “KMI”, për asgjësimin e barnave me afat të skaduar, duke shtuar se ai nuk kishte pasur qasje në fletë pesha, mirëpo të akuzuarat Remzije Thaqi dhe Valentina Haxhijaj, ka thënë se i njeh, pasi që i kishte parë shpesh tek peshoret.

“Unë zakonisht kam parë tre persona në depo aty kanë qenë dy femra dhe një mashkull. Këta kanë qëndruar zakonisht te peshorja, mirëpo nuk ka qenë obligim i imi të shoh se çka kanë shkuar. Më kujtohet se zakonisht aty ka qenë Remzije Thaqi dhe Valentina Haxhijaj”, ka deklaruar ky dëshmitar.

Ai ka shtuar se kishte njohuri se një komision ishte caktuar për matjen e barnave me afat të skaduar.

Kadriu ka thënë se kishte pasur mosmarrëveshje me punëtorët e kompanisë “KMI”, pasi që gjithmonë kishte qenë i stërmbushur me barna me afat të skaduar.

Ai ka thënë se ishte punësuar nga ana e kompanisë “KMI”, përmes Ilmi Dragushës, mirëpo nuk kishte pasur kontratë me shkrim, por sipas tij, vetëm në formë gojore ishte marrë vesh me ta.

Sipas Kadriut, pagesa ishte bërë nga ana e “KMI”-së, ndërsa ai ishte paguar për secilën bartje të barnave që kishte bërë.

“Shpesh ka ndodh që kamioni të ketë qenë i stërmbushur apo i mbushur më shumë se që ishte e lejuar, por mua askush s’më ka ndalur ndonjëherë”, ka thënë Kadriu.

Kadriu ka deklaruar se si transportues kishte bartur barna në depon në Mazgit, mirëpo nuk kishte marrë pjesë në matje të kamionit me barna.

Sipas tij, ai zakonisht në depon në Mazgit kishte shkuar në mëngjes, por kishte pasur raste që kur ka pasur kamionë të tjerë duke u ngarkuar kanë shkuar më vonë.

“Kemi qenë tre vetë me kamiona, një nga “KMI”, unë dhe Ilmi Dragusha, nëse unë kam shku në depo në mëngjes herët e kam gjetur derën e depos të mbyllur, por nëse kam shkuar gjatë ditës ka qenë e hapur dhe kur kemi dal nuk kam parë se a e ka mbyllur dikush derën e depos apo jo, gjatë kohës së ngarkimit të mallrave nuk ka qenë prezent ndonjë roje”, ka thënë dëshmitari.

Pas përfundimit të dëshmisë së Isa Kadriut, është bërë propozimi i provave nga ana e mbrojtësve, kurse për seancën e radhës e cila do të mbahet më 11 maj 2018, në orën 9:00, do të merret vendim lidhur me provat dhe do të bëhet marrja në pyetje e të akuzuarve.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale (PSRK), të akuzuarit Ilir Tolaj, në cilësinë e Sekretarit të Përhershëm në Ministrinë e Shëndetësisë (MSH), Bekim Fusha në cilësinë e ushtruesit të detyrës së drejtorit të Departamentit Farmaceutik në MSH dhe Zenel Kuqi në cilësinë e menaxherit të prokurimit në MSH, kanë shfrytëzuar pozitën e tyre zyrtare. Sipas aktakuzës gjatë periudhës kohore 23 maj 2011 deri më 31 dhjetor 2011, në bashkëveprim i kanë sjellë përfitime kompanisë “KMI” SHPK Drenas me pronar Arian Lleshin dhe Shpend Aganin në vlerë prej 400 mijë euro. Prokuroria pretendon se të lartpërmendurit kanë shkelur Ligjin për Prokurim Publik përgjatë lidhjes së kontratës me kompaninë “KMI” kontratë kjo me vlerë totale prej 1.714.953.74 euro.

Në anën tjetër, Valentina Haxhijaj, Remzije Thaçi dhe Florije Tahiri akuzohen se si anëtare në Komisionin i Mbikëqyrjes së Ekzekutimit të kontratës ku pretendohet se të njëjtat i kanë mundësuar kompanisë “KMI” të bëj manipulim me sasinë e barërave. Me këtë në vazhdimësi Haxhijaj, Thaçi e Tahiri kanë kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare.

Ndërkaq, Zenel Kuqi po akuzohet po ashtu se në cilësinë e menaxherit të prokurimit në Ministrinë e Shëndetësisë gjatë periudhës ndërmjet 23.05.2011 dhe 31.12.2011 i tejkaloi kompetencat e tij me qëllim të përfitimit të dobisë materiale nga kompania “ACG dhe “Standart”, për aktivitetin e prokurimit “Renovimi gjeneral i aneksit të Emergjencës ekzistuese në QKUK”, kompania “Alb Architect” në aktivitetin e prokurimit “Renovimi gjeneral dhe adaptimi i katit përdhes në Klinikën Interne, në repartin e ri për dializë në QKUK”, dhe kompania “Life Farm” për aktivitetin e prokurimit “Furnizim me infuzione”, duke i shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës në vlerën totale 276.307.97 eurove..

Në aktakuzën e njëjtë ishin të përfshirë edhe dy biznesmenët Arion Lleshi dhe Shpend Agani, mirëpo të dy kishin arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë me prokurorin special. Si rrjedhojë, gjykata kishte shpallur fajtor dy biznesmenët, duke i dënuar me nga dy vjet burg me kusht dhe me nga 1000 euro gjobë. Sipas aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, të njëjtit po ashtu obligohen që t’i kthejnë shtetit dëmin e shkaktuar prej 400 mijë eurove.

Sipas prokurorisë, Lleshi dhe Agani, akuzoheshin se kanë bërë paraqitje të rreme apo kanë fshehur fakte, gjë kjo e cila ka rezultuar në dëmtimin e buxhetit të MSH-së si dhe të njëjtit i janë shmangur pagimit të tatimeve dhe kontributeve të tjera për punëtorë të përcaktuara me ligj./betimiperdrejtesi.com