Gjykatësit të flasin hapur për presionin nga politika

E publikuar: 07/11/2016 17:17
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Njohësit e çështjeve juridike thonë se gjykatësit në Maqedoni ndihen të lodhur nga presioni i politikës. Kjo ka ndikuar që ata, edhe përkundër presionit për të funksionuar sipas direktivave të pushtetit, kërkojnë të funksionojnë në përputhje me ligjin.

Së fundmi, gjykatësi Ivan Xholev ka njoftuar opinionin se ka ngritur padi penale kundër një gjykatësi në Gjykatën Penale, për shkak të një vepre penale lidhur me ndikimin mbi gjykatësit tjerë për të ndërmarrë veprime të paligjshme.

Në njoftimin për media, gjykatësi Ivan Xholev ka theksuar se për shkak të ndjeshmërisë së situatës, nuk do ta zbulojë identitetin e gjykatësit dhe as do t’i tregojë inicialet e tij, por shumica e mediave spekulojnë se bëhet fjalë pikërisht për kryetarin e Gjykatës Penale, Vlladimir Pançevski.

Zvonko Davitkoviq, njohës i çështjeve juridike, i cili punon si avokat, për Radion Evropa e Lirë thotë se pavarësisht se bëhet fjalë për një rast të vetëm që gjykatësit marrin guximin të kundërshtojnë urdhërat e drejtuesve të caktuar të institucioneve, kjo paraqet një hap të rëndësishëm drejt funksionimit të pavarur.

“Në mesin e gjykatësve ka të tillë që shquhen me profesionalizmin e tyre në punë. Ata tani nuk do të thosha se janë inkurajuar nga veprimet e Prokurorisë Speciale Publike, por më shumë ata fillojnë të ngrenë zërin, sepse nuk mund t’i bëjnë ballë presionit që ushtrohet ndaj tyre nga ana e partive”, thekson Zvonko Davitkoviq.

Sipas tij, guximi i shprehur për momentin nga ana e një pjese të gjykatësve ka të bëjë edhe me faktin se ata nuk duhen të jenë bashkëveprues në mbrojtjen e zyrtarëve të lartë të cilët kanë shkelur ligjin.

Ndërkohë, Osman Kadriu, ish-gjyqtar, thotë se gjykatësit heshtin sa i përket presionit që u bëhet nga politika, sepse pjesa më e madhe e kuadrit të emëruar viteve të fundit është bërë pikërisht përmes filtrit të parive politike dhe jo plotësimit të kritereve profesionale.

“Evidente është se në kohën e fundit plotësimi i vendeve në gjykata dhe prokurori është bërë me kuadro partiake, të cilat janë shumë larg nga profesionalizmi. Jo rastësisht në ligjin për zgjedhjen e gjykatësve, përpos plotësimit të kritereve, nevojitet që të zgjidhen juristë të dalluar, që nënkupton posedimin e vlerave morale dhe që gëzojnë autoritet. Në praktikë, e them me përgjegjësi, se zgjedhja e gjykatësve nuk bëhet në nivel të profesionalizmit, por preferencave të politikës”, thotë Osman Kadriu, njohës i çështjeve juridike, ish-gjykatës.

Njohësit e çështjeve juridike konsiderojnë se nevojiten reforma rrënjësore në sistemin gjyqësor për të kthyer besimin e qytetarëve në sundimin e drejtësisë.

Sipas tyre, praktika ka dëshmuar se ata gjykatës të cilët morën guximin për të folur hapur u përballën me presione, pastaj dënohen dhe një pjesë e tyre ka raste që janë transferuar nga Gjykata e Shkupit në qytete më të vogla të Maqedonisë.

Ndryshe, Ivan Xholev është gjykatësi i parë që në historinë e gjyqësorit të Maqedonisë i inicion kallëzim penal një gjykatësi tjetër për ndikim, me të cilën ai ka ndërmarrë aktivitet të paligjshëm.

Në raportet e progresit për Maqedoninë, në vazhdimësi, theksohet nevoja për realizimin e reformave në sistemin gjyqësor, për tu çliruar nga influenca politike. (REL)