Gjykata vendos në favor të ish kryetarit të Suharekës Sali Asllanaj

E publikuar: 12/12/2019 11:55
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gjykata e Prizrenit e ka shpallur të pafajshëm ish kryetarin e Suharekës Sali Asllanaj.

Nga akuzat u liruan edhe ish – drejtori i Arsimit Sherif Berisha dhe Milazim Hajdari, drejtor i shkollës SHFMU “Bajram Curri“.

Trupi gjykues ka thënë se nuk është vërtetuar se tre të akuzuarit kanë kryer veprën penale për të cilën akuzoheshin.

Sali Asllanaj akuzohej  për tejkalim të kompetencave si kryetar i Komunës. Kjo, sipas aktakuzës, për t’u siguruar të tjerëve përfitim të dobisë pasurore.

Bashkë me Asllanajn, akuzohej edhe ish-drejtori i Arsimit në Suharekë, Sherif Berisha, ndërsa në të njëjtën aktakuzë ishte i përfshirë edhe Milazim Hajdari, në cilësinë e drejtorit të ShFMU “Bajram Curri” të fshatit Nishor.

Sali Asllanaj kishte mohuar akuzat e Prokurorisë, duke u deklaruar i pafajshëm për veprën penale që i vihej në barrë.

Në lidhje me këtë rast, Asllanaj ishte deklaruar për KALLXO.com duke theksuar se kjo aktakuzë është e paqëndrueshme pasi, sipas tij, komuna e ka pasur për detyrë të sigurojë transportin e nxënësve të fshatit Nishor.

“Prokuroria e ka hapur këtë rast për një kontratë me një OJQ në lidhje me transportin e nxënësve të fshatit Nishor. Unë mendoj se hapja e kësaj aktakuze është e paqëndrueshme sepse ne e kemi pasur për detyrë t’i sigurojmë transportin këtyre nxënëse nga fshati”, kishte thënë ai.