Gjykata Speciale nuk shkon as këtë të enjte

E publikuar: 13/07/2015 12:35
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

As amendamentet që i hapin rrugë themelimit të Forcave të Armatosura të Kosovës e as ato për gjykatën speciale nuk do të jenë në rend të ditës as në seancën e radhës plenare të Kuvendit të Kosovës.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, duke iu përgjigjur interesimit të gazetarëve për riprocedimin e amandameteve kushtetuese rreth gjykatës speciale, të cilat fillimisht kanë dështuar të marrin votat e deputetëve, ka theksuar se në moment që qeveria të riprocedojë amendamentet kushtetuese dhe t’i sjellë në Kuvend, ky i fundit do t’i miratojë.

“Ajo që po iu intereson juve nuk do të jetë as në këtë seancë. Ne po presim që të enjten ta mbarojmë buxhetin. Ky do të jetë një lajm i mirë nëse e aprovojmë për arsye se do të ketë vazhdimësi të investimeve. Në të njëjtën kohë në momentin që do ta kemi në Kuvend amendamentet kushtetuese për gjykatën speciale ne do të procedojmë”, ka thënë Veseli.
Sipas tij, më me rëndësi për të gjithë është interesi i vendit, partneriteti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian si dhe të ketë unitet mes vete.

Kuvendi i Republikës së Kosovës këtë të enjte do të mblidhet në seancë plenare, në të cilën do të shqyrtojë disa projektligje dhe pritet të zgjedh Auditorin e Përgjithshëm.

Kështu vendosi sot Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e saj të përbashkët me kryetarët e grupeve parlamentare, të udhëhequr nga kryetari Kadri Veseli.

Pas deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, Kuvendi do të procedojë me zgjedhjen e Auditorit të Përgjithshëm të Republikës së Kosovës, ndërsa do të shqyrtojë për herë të parë Projektligjin për Sigurimet.

Në lexim të dytë, ndërkaq, do të shqyrtohen katër projektligje që kanë të bëjnë me çështje financiare: Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 05/L-001 për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2015, Projektligji për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, Projektligji për Tatimin në të Ardhurat e Korporatave dhe Projektligji për Tatimin në të Ardhurat Personale.

Në fund, Kuvendi pritet të debatojë lidhur me veprimtarinë e misionit të BE-së në Republikën e Kosovës, sipas kërkesës së deputetes Albulena Haxhiu, e mbështetur nga pesë deputetë nënshkrues.

Në mbledhjen e sotme, Kryesia shqyrtoi edhe disa kërkesa dhe njoftime.